Sundimi “Tallava”: Labinot Tahiri punëson kitaristin dhe kushëririn te ministri nga Ferizaji

Jetmir Tahiri dhe Agim Sinani dy njerëz të afërt me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahirin, janë emëruar këshilltarë të ministrit të Punëve të Brendshme nga Ferizaj, Ekrem Mustafa. Lajmi për Insajderin është konfirmuar nga këshilltarja në këtë ministri Myzejene Selmani. Ajo ka thënë shkurt se Tahiri dhe Sinani janë emëruar këshilltarë të ministrit. […]
Jetmir Tahiri dhe Agim Sinani dy njerëz të afërt me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahirin, janë emëruar këshilltarë të ministrit të Punëve të Brendshme nga Ferizaj, Ekrem Mustafa.
Lajmi për Insajderin është konfirmuar nga këshilltarja në këtë ministri Myzejene Selmani. Ajo ka thënë shkurt se Tahiri dhe Sinani janë emëruar këshilltarë të ministrit.
“Mund të ju konfirmojë se Jetmir Tahiri dhe Agim Sinani janë emëruar këshilltarë të ministrit”, ka deklaruar ajo për Insajderin.
Në anën tjetër deputeti nga Ferizaj, Labinot Tahiri ka pranuar afërsinë me dy këshilltarët e rinj të ministrit. Por ai ka thënë se Tahirin e ka kushëri të largët.
“Po këshilltarët i emëron ministri, dy këshilltarë janë të partisë dhe dy të tjerë që nuk janë fare të tjerë për shkak se vetë ministri i ka zgjedh që i duhen si ekspert dhe që ju ka besuar me punuar me ta. Çdo ministër duhet me i pas njerëzit që i beson”, ka thënë Tahiri për Insajderin.
Megjithatë Tahiri është distancuar se ai ka pasur rol në emërimin e dy të afërmeve në postin e këshilltarit të ministrit. Ka thënë se për të është me rëndësi që janë njerëz të aftë të dijshëm si dhe nuk janë të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion.
“Unë kam të afërt 1 milion popull krejt Kosovën, me pas mundësi krejt i punësoj por nuk kam të drejt me i punësuar, por me i ndihmuar”.
“Njerëzit e vyeshëm dhe të dijshëm që i vyejnë nuk më interesojnë me rëndësi që nuk merren me krim me vrasje me drogë me korrupsion kjo është e rëndësishme përndryshe nëse i lajm jashtë edhe ata që duhen me i çu proceset përpara duhet me ndjetë të gjithë nëpër shtëpia”, ka deklaruar Tahiri.
Po ashtu këshilltarja Selmani, ka konfirmuar se në ekipin e ministrit Mustafa janë emëruar këshilltarë edhe Mentor Tahiri dhe Faton Rushiti.
Javë më parë ishte shkarkuar nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi. Në vend të tij është emëruar Ekrem Mustafa i cili vije nga Ferizaj.
Për emërimin e ministrit nga Ferizaj, deputeti i Kuvendi të Kosovës, Labinot Tahiri, kishte kërcënuar në Qeverinë Haradinaj.
“Dua të ju njoftoj vëllezër e motra, se unë kam një marrëveshje që Ferizaj, t’a ketë ose një ministër ose një ambasador, për shkak se është kontribuesi me i madh në shtetin tonë, dhe asnjëherë nuk pati një ministër apo ambasador. Definitivisht i lënë anash. Unë nga kjo kërkesë nuk do hoqi dorë”.
“Ju them sinqerisht se jam lodhur nga premtimet, por të mijat i mbaj. Në një mënyrë apo tjetër do të shpërblehet ky qytet, në të kundërtën, nuk kam më pse të vazhdoj…. të qëndroj kështu siç e kisha burrninë time me akterët politik të kësaj Qeverie”, kishte shkruar Labinot Tahiri.












