Përgjigjja e Periskopit ndaj akuzave të Dukagjin Pupovcit për shkrim manipulativ

Pas publikimit të Raportit të Bankës Botërore për cilësinë e mjerë të arsimit në Kosovë, Periskopi publikoi një artikull për projektet me vlerë dhjetëra milionëshe që ka përfituar Kosova që nga paslufta për ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë. Në këtë artikull, ishte përmendur Qendra për Arsim e Kosovës [KEC], e cila është absorbuesja […]
Ndërsa, së fundmi, ai ka reaguar ndaj artikullit të Periskopit, duke e quajtur “manipulim tipik me shifra të cilat janë publike në web faqen e KEC”.
Dukagjin Pupovci në reagimin e tij në rrjetin social “Facebook” ka tentuar t’i përjashtojë tri programe të Qendrës për Arsim të Kosovës [KEC], që më pas t’ia mundësojë vetes reduktimin dhe arsyetimin e dhjetëra milionëve që ka fituar kjo organizatë në emër të përmirësimit të cilësisë së arsimit në Kosovë.
Ne i sqarojmë Z.Pupovci se asnjërin nga tri programet e KEC’it nuk mund t’i përjashtojë nga fusha e cilësisë së arsimit, pasi vetë qëllimi final i këtyre programeve në mënyrë të ndërthurtë është pikërisht përmirësimi i cilësisë në këtë fushë.
Andaj, milionat e fituara nga Organizata për përmirësimin e cilësisë së arsimit, nuk mund t’i reduktoni në një program të vetëm, duke ulur shifrat nga 43 milionë në 10 milionë euro.
Ja vetëm disa nga çështjet kyçe të tri programeve që ju po tentoni t’i përjashtoni nga fusha e cilësisë së arsimit:
-Programi për të drejtat e njeriut, përveç sigurimit të barazisë për fëmijët e komuniteteve, ka për qëllim edhe çështjen e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve arsimore që u ofrohen këtyre komuniteteve. Dhe, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve arsimore për fëmijët e Komuniteteve, z.Pupovci, pashmangshëm lidhet me cilësinë e arsimit, në këtë rast për një komunitet të caktuar.
-Pastaj është programi për rrjetëzimin dhe pjesëmarrjen në politikëbërje, i cili ka për qëllim ndërtimin e kapaciteteve për pjesëmarrje në bërjen e politikave arsimore. Dhe, hartimi i politikave më praktike arsimore, z.Pupovci, pashmangshëm lidhet me cilësinë e arsimit.
-Dhe programi i fundit është për hulumtimet në fushën e arsimit, që kanë për qëllim që tema të caktuara të arsimit dhe të shkencës të analizohen nga këndvështrimi i praktikave më të mira ose i analizës së gjendjes, duke dhënë rekomandime për përmirësime. Dhe, hulumtimi i gjendjes aktuale në fushën e arsimit dhe përfillja e rekomandimeve për tejkalimin e pengesave në këtë fushë, z.Pupovci, pashmangshëm lidhet me cilësinë e arsimit.
Për të tingëlluar i besueshëm, një reagim së paku nuk duhet të përmbajë të dhëna kundërthënëse në aq pak rreshta. Z,Pupovci, sqarojeni për publikun, nëse jo për ne: Nga viti 2000 deri më tani, për programin e përmirësimit të cilësisë së arsimit, janë shpenzuar 26.7 milionë euro, apo 10.5 milionë euro? Nëse ju keni menaxhuar me vetëm 10.5 milionë euro, atëherë prezantoni rezultate konkrete të punës suaj nga këto projekte milionëshe. Si një absorbuesit më të mëdhenj të donacioneve në fushën e arsimit, nuk mund të arsyetoheni me pajisjen e disa klasave me televizorë Smart, apo qasjen gratis në disa platforma me video edukative. Secili nga matësit e cilësisë së arsimit në Kosovë deri më tani ka dhënë rezultate dëshpëruese, duke lënë të rinjtë kosovarë disa vite prapa me zhvillim në këtë fushë kyçe për zhvillimin e shtetit.
Për secilin prej projekteve që keni publikuar në ueb faqen zyrtare të KEC-it, nëse jo direkt implementues, ju keni qenë bashkë-menaxhues, andaj nuk mund t’i ikni përgjegjësisë.
Meqë ju po thoni që një pjesë e fondeve janë në dispozicion deri në vitin 2022 (gjë që nuk e përjashtuar as gazetarja në artikullin e publikuar), Periskopi shpreson se ato nuk do të jenë pre e keqpërdorimeve dhe se do të shfrytëzohen njëmend për ngritjen e cilësisë së arsimit.
Krejt në fund: Gazetarja ka kërkuar përgjegjësi nga ju për milionat e fituara për ngritjen e cilësisë së arsimit dhe ju ka pyetur nëse ndiheni fajtor për cilësinë e dobët të arsimit në Kosovë, pas publikimit të Raportit të Bankës Botërore. Kështu, ju e keni pasur rastin që të sqaroheni kur iu jeni përgjigjur pyetjeve, gjë që nuk e keni bërë. Andaj, nuk është aspak e ndershme të akuzoni se gjoja nuk u janë kërkuar sqarime.
Për këtë çështje, Pupovci është intervistuar, dhe Periskopi në ueb faqen e saj ka publikuar të plotë dhe pa asnjë ndërhyrje intervistën me të.
Sigurisht, Periskopi nuk fajëson KEC’in e as Dukagjin Pupovcin si fajtorin e vetëm për gjendjen e mjerë në arsimin e Kosovës, por të marrësh dhe menaxhosh dhjetëra miliona euro në emër të ngritjes së cilësisë së arsimit nuk mund të jesh tërësisht i shpërlarë nga fajësia për këtë gjendje.
Më poshtë keni linkun e artikullit të publikuar dhe intervistës që është realizuar me D. Pupovcin lidhur me këtë çështje:
https://periskopi.com/nuk-mund-te-marrim-pergjegjesi-per-cilesine-e-dobet-te-arsimit/












