Nisma egërsisht po abuzon me pushtetin, militantin partiak e bën inspektor të Arsimit

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që udhëhiqet nga Shyqiri Bytyqi i Nismës, është bërë çerdhe e punësimit të militantëve partiakë të partisë së Fatmir Limajt, e shkeljeve dhe parregullsive të tjera, që e dëmtojnë buxhetin dhe profesionalizmin e ministrisë. Në vazhdën e dhjetëra punësimeve pa transparencë, pa shpallje të konkurseve, e njoftime për punësimin […]
Në vazhdën e dhjetëra punësimeve pa transparencë, pa shpallje të konkurseve, e njoftime për punësimin e njerëzve të vet, edhe një militant tjetër partiak është punësuar në një pozitë të rëndësishme në Ministrinë e Arsimit.
Periskopi ka kuptuar se Sabit Berisha, që është i afërt me kryetarin e Malishevës Ragip Begaj e zyrtarët kryesorë të Nismës, së fundmi është bërë Inspektor i Arsimit.
Berisha, në llogarinë e tij në Facebook, i vetmi vend ku mund të kuptosh se çfarë po ndodh në Ministrinë e Arsimit, ka të publikuara dhjetëra postime përkrahëse për Nismën, ndërsa kryetari i Malishevës Ragip Begaj, po ashtu, ka të publikuara fotografi me të, që dëshmon për afërsinë e tyre.
Berisha, në Nismë nga PDK-ja kishte kaluar në vitin e kaluar. Atë, në një mënyrë të veçantë e kishte pritur kryetari Ragip Begaj.
Këtë gjë, Berisha e ka konfirmuar në llogarinë e tij në Facebook, përkundër se në seksionin e njoftimeve të ministrisë nuk ka ndonjë informacion për punësimin e tij.
Në kohën kur niveli i arsimit në Kosovë mbetet shqetësues, edhe sipas matjeve të organizatave ndërkombëtare, në Kosovë inspektor i Arsimit bëhet një militant partiak përmes një procesi me zero transparencë.
Sipas një raporti të publikuar nga Banka Botërore para pak ditësh, shkollimi në Kosovë është pesë vjet prapa për nga cilësia, në krahasim me shtetet me standarde normale.
Gjendja nëse jo ashtu siç kishte qenë, është përkeqësuar, që prej kur ishte publikuar rezultati i testit PISA, ku Kosova kishte dalë e parafundit në botë për cilësinë e arsimit. /Periskopi/















