Ministri Shala: Fëmijët tanë nuk do t’iu ekspozohen më lodrave të rrezikshme

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka nisur aksionin për asgjësimin e lodrave që janë konfiskuar për shkak se nuk i kanë plotësuar standardet. MTI ka dërguar mostrat e lodrave për analiza në Holandë dhe rezultatet që kanë ardhur kanë qenë jashtë standardeve normale, për këtë arsye ministri Shala ka marr vendin që të […]
Shala ka thënë se fëmijët më nuk do t’iu ekspozohen lodrave të rrezikshme sepse të gjitha importet që nuk kanë certifikata të cilësisë sipas standardeve të BE-së nuk do të lejohen të futen në tregun e Kosovës.
“Sot kam ardhur me përcjell për së afërmi edhe fazën e fundit, asgjësimin e lodrave dhe përmes mediave ta dërgojmë mesazhin te të gjithë qytetarët e Kosovës që ne kemi filluar kontrollin e tregut dhe fëmijët tanë nuk do t’iu ekspozohen më lodrave të rrezikshme. Ne jemi të përkushtuar që të kemi një kontroll të detajuar të cilësisë së produkteve në tregun e Kosovës. Dua të iu njoftoj se deri tash kemi konfiskuar 17 mijë njësi të lodrave të rrezikshme dhe në bashkëpunim me doganën e Kosovës kemi ndaluar 17 importe në kufi. Gjithashtu sot jam informuar nga inspektorati se është ndaluar edhe një sasi tjetër e cila ka tentuar që të zhdoganohet dhe të futet në tregun e Kosovë”, ka theksuar ministri Shala.
Sipas ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, fokusi do të jetë mbrojtja e konsumatorit në raport me cilësinë e mallrave.
“Fokus i imi do të jetë mbrojtja e konsumatorit në raport me cilësinë e produkteve, dhe përveç rritjes së inspektimeve në tregun e brendshëm, ne gjithashtu në bashkëpunim me doganën po parandalojmë futjen në treg të çfarëdo malli që mund të jetë i rrezikshëm për përdorim nga ana e konsumatorit”, tha ministri Shala.
Ministri ka kërkuar nga të gjithë tregtarët që të mos importojnë në Kosovë mallra që nuk i plotësojnë standardet dhe mund ta rrezikojnë shëndetin e fëmijëve.
“I thërras të gjithë tregtarët që të kenë kujdes në produktet që i importojnë, dhe i shesin në tregun e Kosovës, të jenë të certifikuara dhe sipas standardeve të BE-së që të mos e rrezikojmë shëndetin e fëmijëve”, ka thënë ministri Shala.















