Ministri i Arsimit lë në parking dy veturat e shtetit, merr me qira veturë nga kompania ku punon vëllai i tij

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka lënë të mbyten nga pluhuri në parking dy veturat që i posedon ministria e tij dhe ka marrë me qira një veturë tjetër në kompaninë “Porsche Kosova”, ku punon vëllai i tij, Agush Bytyqi, që sipas ligjeve në fuqi përbën shkelje të Ligjit për Parandalimin e […]
Megjithëse në fillim të mandatit të tij, ministri Bytyqi kishte nisur të përdorë dy veturat e ministrisë, një veturë të llojit Xhip dhe një “Suzuki Kizashi”, kjo gjë kishte ndryshuar shpejt, kur ai për nevojat e tij kishte marrë me qira veturën “Peugeot 308” nga kompania “Porsche Kosova”. Sipas burimeve të informuara mirë, brenda Ministrisë, vetura e marrë me qira paguhet nga Ministria me një çmim mujor prej 470 eurove.
Periskopi është përpjekur që të marrë një përgjigje zyrtare nga Ministria e Arsimit lidhur me këtë çështje por ka hasur në refuzim për një sqarim transparent. Pas disa orëve kërkesash për një përgjigje, portalit nga ministria i është kthyer një përgjigje e shkurtër dhe me përmbajtje akuzuese ndaj gazetares për pyetje tendencioze.
“Pyetja ngjanë shumë tendencioze dhe nuk qëndron fare”, ka qenë përgjigja e ministrisë që i është kthyer Periskopit, pa dhënë ndonjë sqarim të mëtejshëm lidhur me pyetjen që i është drejtuar asaj.
Për ta konfirmuar këtë informacion, portali gjatë ditës së djeshme ka kontaktuar edhe me kompaninë “Porsche Prishtina” për të pyetur se cilat janë angazhimet e vëllait të ministrit në kompani. Mirëpo, stafi i kompanisë ka refuzuar të jap përgjigje konkrete, duke u arsyetuar se “personi kompetent është jashtë vendit”.
Megjithatë, pas kontaktit të drejtpërdrejt me Agush Bytyqin, ai e ka pranuar se punon në këtë kompani, por ka refuzuar ta pranojë se ministria që e drejton vëllai i tij, ka marrë ndonjë veturë me qira në “Porsche Kosova”.
Madje, ka thënë se kompania ku punon, as nuk jep vetura me qira “për individë”.
“Kush ju ka thënë juve? Në cilën kompani? Po unë punoj aty, ama s’ është e vërtetë që e ka marrë me qira (ministri). Edhe përndryshe Porche Kosova nuk jep vetura me qira. Porche nuk jep vetura me qira për asnjë individ”, tha ai.
Por, kështu nuk thonë agjentët e kompanisë. Pas një telefonate në cilësinë e një klienti që kërkon veturë me qira, gazetarit të Periskopit iu dha një përgjigje, ku nuk u mohua mundësia që të merret veturë me qira. Problemi i vetëm ishte se, sipas agjentit, kompania nuk kishte vetura në dispozicion për qira aktualisht.
“Nuk kemi për momentin vetura me qira”, tha një prej agjentëve të shitjes së kompanisë, që lë të nënkuptohet se kompania e ushtron edhe këtë aktivitet biznesor.
Për më tepër, edhe në regjistrin e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ndër shumë fushat e veprimtarisë biznesore të kompanisë, thuhet qartë se “Porsche Kosova” ushtron edhe aktivitetin: “Marrja dhe dhënia me qira (lizingu) i veturave dhe automjeteve të lehta motorike”.
Në Nenin 9, pika 1.3, të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik thuhet se zyrtarit i ndalohet “të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari apo organi për arsye të përfitimit të padrejtë për vete apo të çdo personi tjetër fizik dhe juridik”.














