Ministri Berisha takon pjesëtarët serb të FSK-së, thotë se ajo është e të gjithëve

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka takuar sot pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb të cilët “i ka garantuar se FSK-ja është institucion i të gjithëve që jetojnë në Kosovë dhe është institucion shumetnik”. Sipas një njoftimi nga MFSK-ja, Berisha sot ka vizituar Regjimentin e […]
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka takuar sot pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb të cilët “i ka garantuar se FSK-ja është institucion i të gjithëve që jetojnë në Kosovë dhe është institucion shumetnik”.
Sipas një njoftimi nga MFSK-ja, Berisha sot ka vizituar Regjimentin e Mbrojtjes Civile të FSK-së në kazermën “Evropianët e rinj’’ në Pomozotin, ku u prit nga komandanti i RMC-së kolonel Shaip Haziri me bashkëpunëtorë.
Berisha më pas ka zhvilluar një takim të hapur me pjesëtarët e FSK-së nga radhët e komuniteteve, veçanërisht të atij serb, që shërbejnë në disa prej njësive të Brigadës për Mbështetje Operacionale.
“FSK-ja ka dëshmuar se është institucion shumetnik dhe se me kapacitetet që ka është në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim nga përkatësia etnike, gjinore, fetare dhe racore”, ka thënë Berisha duke përgëzuar më pas këta pjesëtarë “të cilët edhe përkundër presioneve të ndryshme politike, për të cilat është në dijeni edhe faktori ndërkombëtar, janë të vendosur që të shërbejnë në FSK, në të mirë të qytetarëve që jetojnë këtu”.
Berisha ka shprehur keqardhje për disa pjesëtarë të komunitetit serb, që kanë shërbyer dhe që janë demobilizuar.
“Ndjehem mirë që asnjëri prej pjesëtarëve që kanë paraqitur kërkesë për demobilizim nuk kanë pasur ankesa sa i përket trajtimit, punës apo marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndëretnike në FSK. Në këtë aspekt më gëzon fakti se çdo ditë ka kërkesa nga të rinjtë e këtij komuniteti për t’u rekrutuar në FSK”, ka shtuar ai.
Në takim, pjesëtarët serbë të FSK-së folën për çështjet e jetës, punës dhe shërbimit në FSK, kryesisht çështjet e udhëtimit, trajnimeve, avancimeve si dhe të tjera lidhura me punën e përditshme në institucion.
“Vlen të ceket se të gjithë diskutuesit shprehën gatishmërinë për shërbim në FSK, dhe se nuk vunë në diskutim ndonjë dilemë, përveç se bashkërisht me pjesëtarët e tjerë të zhvillohen dhe të punojnë në të mirë të FSK-së si institucion i cili u shërben të gjithë qytetarëve të shtetit të Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit.












