Kush është njeriu që shkarkon ministra në Qeverinë Haradinaj?

Sot u shkarkua edhe ministri i katërt në Qeverinë Haradinaj, Bejtush Gashi i Punëve të Brendshme nga Aleanca Kosova e Re [AKR], shkruan Periskopi. Ai pason shkarkimin e Flamur Sefajt, i po të njëjtës ministri, Bajram Hasanit dhe të Albena Reshitajt. Çka vihet re nga këto shkarkime? Asnjëri nuk i takon partisë së kryeministrit Haradinaj, […]
Sot u shkarkua edhe ministri i katërt në Qeverinë Haradinaj, Bejtush Gashi i Punëve të Brendshme nga Aleanca Kosova e Re [AKR], shkruan Periskopi.
Ai pason shkarkimin e Flamur Sefajt, i po të njëjtës ministri, Bajram Hasanit dhe të Albena Reshitajt. Çka vihet re nga këto shkarkime? Asnjëri nuk i takon partisë së kryeministrit Haradinaj, dhe partisë më të madhe në koalicionin qeverisës, PDK-së. Për më tepër, tre prej tyre i takojnë/takonin partisë më të vogël: AKR-së.
Parehatia në koalicionin qeverisës të Haradinajt me ministrat, nuk mund të ketë vetëm një shpjegim por është e qartë se shkarkues nuk është ai që duhej të kishte këtë rol, kryeministri Ramush Haradinaj.
Ministri i mëhershëm i Punëve të Brendshme, Sefaj, u shkarkua shkaku i incidentit me gjashtë shtetasit turq që u arrestuan dhe u deportuan në Turqi. AKR-ja për herë të parë e kishte lëkundur koalicionin – por megjithatë, po kjo parti e kishte pasur fjalën e fundit edhe në këtë rast. Ndërkohë, në dy shkarkimet e tjera kishte të bënte kryekëput performanca e ministrave – e cila duket se nuk kënaqi sa duhej apetitet e anëtarësisë së kësaj partie.
AKR-ja duket se nuk është aq e aftë në administrimin e pushtetit brenda hises që ka në qeverisje. Shpurdhjet e saj kanë të bëjnë pikërisht me përpjekjen për të kënaqur sa më shumë njerëz brenda strukturës partiake – e në këtë rast, është përfolur faktorizimi dhe kënaqja e kërkesës absurde të deputetit Labinot Tahiri në emërimin e një ministri nga qyteti i tij [Ferizaj].
Njeriu që kishte fjalën kryesore në tri nga katër shkarkimet ishte Behgjet Pacolli, kryetari i AKR-së./Periskopi












