Kastrati: Me VV-në apo pa VV-në, ne vazhdojmë përpara

Kryetari i Komunës së Kamenicës, nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Qëndron Kastrati, ka reaguar ashpër ndaj kryesuesit komunal, Bajram Mavriqi të Vetëvendosjes, e cila edhe është pjesë e koalicionit qeverisës. Vetë Mavriqi sipas Kastratit kishte kërkuar dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të komunës, çka ka nxitur reagimin e ashpër të Kastrait. Por, goditjet […]
Kryetari i Komunës së Kamenicës, nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Qëndron Kastrati, ka reaguar ashpër ndaj kryesuesit komunal, Bajram Mavriqi të Vetëvendosjes, e cila edhe është pjesë e koalicionit qeverisës.
Vetë Mavriqi sipas Kastratit kishte kërkuar dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të komunës, çka ka nxitur reagimin e ashpër të Kastrait.
Por, goditjet ndaj njëri tjetrit dhe zërat që po qarkullojnë bëjnë që të nënkuptohet se prishja e koalicionit mes dy këtyre partive në këtë komunë është afër, transmeton Periskopi.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Kastrati ka thënë se nëse VV dëshirojnë të qëndrojnë në koalicion do të kenë hapësirë për të punuar, por ka thënë se më nuk do të lejohen shpifjet dhe mashtrimet.
Ky është postimi i plotë:
Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Kamenicë mbrëmë paska deklaruar se unë duhet të jap dorëheqje për arsye se nuk po i jap mundësi të jetësohet Programi me të cilin kam garuar në zgjedhje. Madje, subjekti që përfaqëson Bajram Mavriqi qenka duke e diskutuar dhe qenka pranë vendimit për t’u larguar nga qeverisja komunale në Kamenicë, vendim të cilin vetë ai qenka duke e shtyer përpara.
Unë nuk e di se çfarë vendimi do të marrë VV-ja për bashkëqeverisjen në Kamenicë, kjo është punë e tyre. Por, e di që 3 nga 4 drejtorët e VV-së vazhdojnë të jenë ende drejtorë, përveç njërës që tashmë eshtë shkarkuar dhe e cila është zëvendësuar prapë me një aktiviste tjetër nga i njëjti subjekt politik. Le të jenë të bindur të gjithë se këta drejtorë, dhe të gjithë drejtorët e tjerë, do të vazhdojnë të punojnë me mbështetjen time të plotë për aq kohë sa punojnë mirë e drejt. Sigurisht, duke ditur mundësitë e kufizuara që i kemi si një ndër komunat me buxhetin më të vogël në Kosovë.
Çfarëdo vendimi që VV-ja do të marrë, unë do ta pranoj. Nëse ata mendojnë që duhet të largohen, le të largohen. Por, nëse kanë vullnet për të punuar për qytetin tonë, unë garantoj se do ta kenë hapësirën e duhur për të jetësuar të gjitha pikat e Programit Qeverisës me të cilin kam garuar në zgjedhje.
Mirëpo, nga sot e tutje, shpifjeve, mashtrimeve, insinuative, hipokrizive e konspiracioneve do t’iu japim fund. Asgjë të tillë më nuk do të tolerojmë. Fatkeqësisht, prijës i kësaj propagande të ulët e helmuese në Kamenicë është Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bajram Mavriqi. Skenës politike në Kosovë (aq më pak në Kamenicë) nuk i duhen njerëz që ngritjen e tyre në karrierë e ndërtojnë me shpifje e dinakëri.
Qytetarët e Kamenicës nuk kanë nevojë për një Kryesues Kuvendi sikur z.Mavriqi që i gënjen se do të punësohen, e në fund i’u thotë se unë deshta, por Qëndroni nuk pranoi. Njerëzit në Kamenicë kanë nevojë për punë e mirëqenie. Ta shfrytëzosh gjendjen e tyre të rëndë për qëllime të ulëta të përfitimeve politike është e papranueshme.
Qytetarët e Kamenicës nuk kanë nevojë për një Kryesues Kuvendi sikur z.Mavriqi që jep premtime të rrejshme e pa asnjë mbulesë se të gjitha rrugët do të ndërtohen brenda një viti, për t’ju thënë sërish se unë deshta por Qëndroni nuk po pranon.
Është pengesë në mbarëvajtjen e punëve dikush si ky person që teksa shfrytëzon zyrtarët duke bërë favorizime, diskriminon të tjerët dhe dëmton interesin publik.
Drejtoritë nuk kanë nevojë për një Kryesues Kuvendi që instrumentalizon zyrtarët për interesa personale në dëm të Komunës. Viktimë e veprimeve të tilla është tashmë një ish Drejtore.
Qeverisja komunale nuk ka nevojë për një kryesues sikurse z.Mavriqi që në emër të qeverisjes mashtron qytetarët, shpif për kolegët, “djeg” bashkëpunëtorët dhe vazhdimisht në publik viktimizohet.
Mua si Kryetar, nuk më duhet një Kryesues Kuvendi si z. Mavriqi që tek qytetarët shpif vazhdimisht kundër meje, ndersa me mua nuk është ballafaquar asnjëherë, as në takime pune, as në seanca të Kuvendit Komunal. “Dyfytyrësia është pafytyrësi”, thuhej dikur në VV.
Ky lloj veprimi politik nuk mbartë vlerë as virtyt. Ky lloj politikani nuk përçon asnë synim përparimtar. Përkundrazi, është mostra dhe ilustrimi më i mirë për sojin e politikanit që e ka sjellur vendin në këtë gjendje. Ky politikan duhet të dorëhiqet sepse ne nuk jemi zgjedhur për punë të tilla.
Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet ta dijë se unë jam shumë i gatshëm për bashkëqeverisje më njerëz të mirë e të drejtë sikurse drejtorët aktualë, por duhet ta dijë po ashtu se ky njëri nuk është Bajram Mavriqi.”/Periskopi/.












