Instituti qesharak nga Sllovenia sërish me sondazhe për Kosovën – ja pse nuk duhet të merret seriozisht

Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Afërt dhe Ballkanit [IFIMES] ka realizuar një sondazh në Kosovë me pyetjen se “Kë do ta votonit nëse zgjedhjet mbahen sot”. Bazuar në rezultatet e tyre, LDK del partia e parë me 28.3 për qind, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 23.1 për qind, duke lënë PDK’në në vendin […]
IFIMES njihet për analiza tendencioze për zhvillimet politike në Ballkan, por paralajmërimet e tyre asnjëherë nuk kanë rezultuar si të vërteta, raporton Periskopi.
Ky institut nga Lubjana, vitin e kaluar kishte publikuar një analizë, përmes së cilës kishte paralajmëruar ndryshime tektonike në politikën e Kosovës.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën vitin e kaluar [2017] në Kosovë, ky Institut publikoi një analizë, përmes së cilës konkludonte se ekziston plani i vendeve udhëheqëse në botë që nga skena politike në Kosovë të eliminojnë shumicën e liderëve të tashëm, ndër ta edhe presidentin aktual Hashim Thaçi, e në vendin e tij të vinte lideri i VV’së, Albin Kurti.
Por, një vit pas publikimit të atij sondazhi, asgjë nuk ka ndryshuar në skenën politike kosovare.
Hashim Thaçi vazhdon të jetë president i Kosovës dhe ta përfaqësojë Kosovën në procese të rëndësishme, siç është dialogu me Serbinë.
Ndërsa, Albin Kurti vazhdon të mbetet kryetar i një partie opozitare.
Në një shkrim të publikuar kohë më parë, gazetari Enver Robelli shkruante se ky institut ka dy drejtorë [një kurd nga Iraku dhe një boshnjak që jeton në Slloveni].
Në Kroaci ka kohë që mediet tallen me Institutin IFIMES dhe analizat që publikohen prej tyre.
“Madje, raportohet se ky institut ka vetëm këta dy punëtorë, dhe të dy e quajnë vetën drejtorë. Zijad Becirovic është boshnjak, ndërsa Bakhatyar Aljaf është kurd i Irakut. Sipas medieve kroate, ky institut nuk kryen anketa, por hulumtime të opinionit publik, sipas nevojës së porositësit”, shkruante ai ndër të tjerash.
Para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ky Institut kishte shkruar se kryeministri i atëhershëm kroat Ivo Sanader ishte marrë vesh me kryeministrin serb Vojisllav Koshtunica se nuk do ta pranojë Kosovën dhe si kundërshpërblim Kushtonica do t’ia mundësonte Sanaderit krijimin e entitetit të tretë në Bosnjë, i cili qeverisej nga kroatët.
Por edhe kjo e dhënë nuk doli të jetë e saktë, pasi Kroacia ka qenë në mesin e vendeve të para që kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.
Tekstin e plotë të Robellit mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm:












