Hani i Elezit kërkon nga “Bechtel-Enka” riparimin e rrugëve dhe kanalizimit

Komuna e Hanit të Elezit dhe kompania “Bechtel-Enka” prej disa ditësh nuk po arrijnë të gjejnë një marrëveshje për t’i rifilluar punimet e autostradës “Arbën Xhaferi” gjatë orëve të natës, derisa ato janë ndërprerë me një vendim të kryetarit të kësaj komune, për shkak të zhurmës nga makineritë dhe shkaku i dëmtimit të rrugëve në […]
Kjo komunë po vazhdon të kërkojë nga kompania “Bechtel-Enka” edhe hapjen e disa rrugëve të cilat janë mbyllur gjatë trasesë së autostradës, pastaj riparimin e rrjetit të kanalizimit, riparimin e rrugëve dhe disa dëme të tjera në prona publike, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo komunë është e vendosur që nuk do ta lejojë këtë kompani të punojë derisa nuk i përmbush obligimet e veta. Për të gjetur një zgjidhje ka intervenuar edhe Ministria e Infrastrukturës, mirëpo deri tashti nuk ka mundur të bëjë një zgjidhje.
Kryetari i Komunës se Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka thënë se Komuna ka pasur një bashkëpunim të mirë me kompaninë “Bechtel-Enka” që nga fillimi i punimeve të autostradës, ndërkohë Komuna ka dhënë edhe pëlqim për t’i realizuar punimet, mirëpo dëmet të cilat po shkaktohen gjatë punimeve nuk janë riparuar, ndërkohë kemi ankesa të vazhdueshme nga qytetarët.












