Gashi i përgjigjet Veselit: S’kemi frikë, hajde shkojmë në zgjedhje

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka akuzuar deputetët e LDK’së dhe Vetëvendosjes se nuk po marrin pjesë në seancën e sotme, duke thënë se nuk do të tolerojë që disa persona të përcaktojnë fatin e Kuvendit. Madje Veseli në fillim të seancës ku nuk po merr pjesë LDK dhe VV, tha se opozita po u […]
Madje Veseli në fillim të seancës ku nuk po merr pjesë LDK dhe VV, tha se opozita po u frikësohet zgjedhjeve, duke ftuar edhe deputetin e Nismas, Zafir Berishën që t’ua bëjë votat për rrëzimin e Qeverisë.
Por ndryshe kësaj bindjeje të Veselit i përgjigjet deputeti i LDK’së, Arben Gashi i cili e fton kreun e PDK’së që të nisen për zgjedhje. Gashi për Periskopin tha se këtu nuk ka të bëjë me kurrfarë frikësimi.
‘’Nëse është ashtu, hajde shkojmë në zgjedhje dhe e shohim. More këtu nuk ka punë frikësim apo jo frikësim. Është deklaratë kundër deklaratë. Cështja është nëse zotëri Veseli a beson qashtu qysh beson LDK’ja dhe Vetëvendosja se ky vend nuk po qeveriset dhe ka nevojë për Qeveri. E me pasë Qeveri duhet me shku në zgjedhje dhe me pasë legjitimitet qytetar. Nëse janë të gatshëm, kurdo që janë të gatshëm me iu bashkëngjit një bindje të tillë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje’’, ka thënë Arben Gashi për Periskopin.
Gjatë seancës së sotme, si pikë rendi të ditës ishin edhe disa çështje me rëndësi si votimi i projekt-rezolutës për dialogun me Serbinë, e propozuar nga PSD’ja, por që nuk u votua fare.
Ndërkohë që as Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari nuk i mori votat për shkak të mungesës së LDK’së dhe Vetëvendosjes në sallë.
Lidhur me këtë dështim, deputeti Arben Gashi për Periskopin tha se këtë përgjigje duhet gjetur tek partnerët e koalicionit të cilën Projektligjet tjera i kalojnë e këtë jo.
‘’Këtë përgjigje duhet me gjetë tek partnerët e koaliconit. Pse ata kalojnë ligje tjera e nuk kalojnë ligjin për kompleksin memorial Adem Jashari. Ata këtë munden ta bëjnë edhe pa neve’’, ka thënë Gashi.
Kryeparlamentari Kadri Veseli sot e nisi seancën duke akuzuar deputetët që sipas tij po i ndalin shumë procese me rëndësi për vendin.
“Nuk do të tolerojë që individë të caktuar të përcaktojnë fatin e Kuvendit, pavarësisht çfarë ego kanë sepse ka veç individë të caktuar që po tentojnë të demonstrojnë para nesh personalitet. Zafir veç voto, katër vota i duhen opozitës, po të tregoj publikisht ti edhe dy apo tre i ke atje, por po frikësohem se më së shumti frikësohen ata me shkuar në zgjedhje, bashkë me opozitën, kjo është ajo që nuk ndodhë se me pas burrni po”, tha ai./Periskopi/












