Flasin për gjendjen e komuniteteve, pa përfaqësuesit e tyre në Kuvend

Gjendja e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptianë është alarmante. Kështu u tha në një takim që Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve (VoRAE) dhe rrjeti KOSINT kanë mbajtur me deputetë të Kuvendit të Kosovës, rrjetin KOSINT dhe ambasadoren e Finlandës Pia Stjernvall. Isak Skenderi nga VoRAE, tha se ky takim ka për qëllim avokimin dhe […]
Gjendja e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptianë është alarmante.
Kështu u tha në një takim që Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve (VoRAE) dhe rrjeti KOSINT kanë mbajtur me deputetë të Kuvendit të Kosovës, rrjetin KOSINT dhe ambasadoren e Finlandës Pia Stjernvall.
Isak Skenderi nga VoRAE, tha se ky takim ka për qëllim avokimin dhe integrimin, duke ditur situatën aktuale dhe gjendjen e margjinalizuar të komunitetit RAE.
” Sipas një raporti 92 përqind e grave rome janë të papunësuara, gjendje e komunitetit është alarmante. Qëllimi i këtij takimi është të zvogëlohet ai hendeku, e po ashtu të sigurohet një ambient i barabartë në Kosovë”, tha ai.
Jehona Xhaferi nga KOSINT tha se organizatat që punojnë për komunitetin e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, tashmë janë bërë bashkë që të ndikojnë në avokimim e tyre.
“Unë besoj që në të ardhmen të punojmë në mënyrë edhe individuale, duke ditur se edhe ju jeni të zënë por vlen që edhe zëri juaj të dëgjohet”, tha ajo deputeteve që ishin të pranishme në këtë takim.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku tha se roli i deputetëve është shumë i rëndësishëm, e madje edhe ua kanë borxh që të punojnë për këto komunitete.
“Unë kam një ide, por mua më mungojnë deputetët e komuniteteve, pse nuk janë këtu. Vullneti jem është që përfaqësuesit e juve që i keni në Kuvend të jenë këtu”, tha ajo.
Deputetja nga Alternativa, Mimoza Kusari- Lila tha se e vetmja pakicë në Kosovë që është trajtuar ndryshe është pakica serbe.
“Për ne si grup është e rëndësishme qe t’i kemi numrat, si për shembull të të diplomuarve, ata që kanë braktisë shkollën, që të krijohet ideja se kah të shkohet, ne e kemi vullnetin që të ndihmojmë”, tha Kusari- Lila.
Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani tha se përfaqësuesit e këtyre komuniteteve në Kuvendin e Kosovës duhet të jenë në këtë takim dhe të tregojnë se nga çka po pengohen, dhe çfarë janë kërkesat e tyre. “Jemi në një fazë kur Kuvendi është jofunksional, jemi në një situatë kur brenda seancave plenare pak mund të diskutojmë, por në komisione mund të presim”, tha Osmani.












