Blerta Deliu që dikur votonte kundër ligjit për gratë e përdhunuara, tani poston foto me Vasfije Krasniqin

15 vite pas luftës në Kosovë, në vitin 2014 Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj që njeh luftën e UÇK-së, por edhe mbron gratë e keqtrajtuara seksualisht gjatë luftës. Ky ligj u miratua me trysnin e organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, gjatë diskutimit në Kuvend jo të gjithë e përkrahnin ndryshimin e këtij Ligji, […]
Ky ligj u miratua me trysnin e organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, gjatë diskutimit në Kuvend jo të gjithë e përkrahnin ndryshimin e këtij Ligji, i cili në thelb mbronte gratë e përdhunuara gjatë luftës dhe do i fuste ato në mesin e viktimave që u takon kompensimi.
Një nga deputetet që e kundërshtoi fuqishëm ndryshimin e Ligjit, me të cilin do të mbroheshin edhe viktimat e përdhunimit gjatë luftës, që erdhi në Kuvend në vitin 2013, ishte deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
Deliu e cila sot tregon përkrahjen e saj për gratë e përdhunuara gjatë luftës dhe merr pjesë në konferenca ku mbështeten viktimat e dhunës seksuale dikur mendonte ndryshe.
Ajo dhe disa deputetë të tjerë të PDK-së kishin bërë bashkë forcat – kryesisht me deputetë serbë – në tentimin për ta penguar ndryshimin e Ligjit.
Por, vetëm një vit më vonë, deputetja Deliu kishte ndërruar mendje dhe në vitin 2014 votoi ‘për’ ndryshimin e këtij ligji.
Dhe jo vetëm, ajo duket se kishte ndërruar qëndrim rrënjësor pasi në vitin 2016-të, në Konferencën Regjionale të Grave Parlamentare që u mbajt në Tiranë, deputetja Blerta Deliu-Kodra bëri thirrje për drejtësi për 20 mijë gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë .
Kësaj kauze Deliu – Kodra nuk iu nda dhe jo vetëm brenda kufijve shqip folës.
Kjo pasi, në vitin 2017-të, Në sesionin e Parlamentit Evropian po diskutohej lidhur me eliminimin e dhunës ndaj grave si faktor për fuqizim, ku deputetja ishte kryetare e delegacionit kosovar.
Para përfaqësuesve evropianë Blerta prezantoi një pjesë nga përjetimet e grave kosovare gjatë luftës në Kosovë.
“Gjeneralët serb të cilët kanë dhënë urdhër për dhunimin e tyre po dekorohen nga shteti serb. Të jesh grua do të thotë të luftosh gjithmonë për gratë pa zë, çfarë po bëjmë ne parlamentaret e shteteve të shumta, a po angazhohemi për vlera të përbashkëta, të cilat janë në qendër të politikave të BE-së”, kishte thënë Deliu-Kodra.
Ajo, gjithashtu kërkoi nga shtetet përfaqësuese që të angazhohen së bashku për drejtësi.
Deputetja Deliu-Kodra ishte pjesë e prezantimit të Vasfije Krasniqit, e cila rrëfeu në publik për herë të parë në Kosovë, storien e saj të luftës, ku përjetoi dhunë seksuale.
Ajo theu heshtjen e mbi 20 mijë grave kosovare, ndërsa mori përkrahje nga udhëheqës të shumtë institucional vendor e ndërkombëtar. Në mesin e tyre ishte deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra, e cila ndonëse dikur e kundërshtoi, sot u fotografua me Vasfijen duke u ndier krenare me veprimin e saj.













