Vizat e refuzuara për deputetët. Flasin për Periskopin Ambasada amerikane dhe Zyra e BE’së

Për disa ditë në media ka qarkulluar lajmi se deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët kanë nënshkruar nismën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, janë ‘penalizuar’ nga ambasadat me mosmarrje vizash. Lidhur me një çështje të tillë, Periskopi ka kontaktuar Zyrën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe Zyrën e Bashkimit […]
Lidhur me një çështje të tillë, Periskopi ka kontaktuar Zyrën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe Zyrën e Bashkimit Evropian.
Të dyja këto misione diplomatike, nuk kanë precizuar një gjë të tillë, me arsyetimin se ‘nuk merren me rastet individuale’. Por megjithatë, ata edhe një herë bëjnë të qartë se tendenca për ta shfuqizuar Specialen, do të kishte pasoja të rënda për vendin.
“Ambasada amerikane nuk komenton rastet individuale lidhur me vizat, për arsye të ligjit mbi privatësinë. Përmirësimi në sundimin e ligjit, është prioritet numër një për Ambasadën Amerikane në Kosovë”, thuhet në përgjigjen dhënë Periskopit.
Ambasada Amerikane shpreh edhe një herë kërkesën që të mos tentohet shfuqizimi i Speciales.
“Gjykata Speciale do të ndihmojë në sjelljen e drejtësisë për shumë qytetarë të Kosovës të të shumë entive dhe është hap jetik për të ardhmen europiane të Kosovës. Kundërshtojmë projektligjin i cili po diskutohet tani dhe i përsërim thirrjet tona drejtuar udhëheqësve institucional, udhëheqësve partiak dhe anëtarëve të Kuvendit të heqin dorë nga shfuqizimi apo amandamentimi i çfarëdo pjese të ligjit për Gjykatën Speciale”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.
Ndërkaq, edhe Zyra e BE’së në Kosovës, është në të njëjtën linjë sa i përket kësaj teme. Duke mos dashur të komentojnë çëshjten e vizave të deputetëve, ata thonë se i vetmi mesazh nga ata është se ‘tendenca për ta shfuqizuar Specialen do të dëmtonte raportet e Kosovës me BE’ne”.
“Mesazhi i BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare rreth nismës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është i qartë. Çdo përpjekje për shfuqizimin ose ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara do të minonte zotimin që ka bërë Kosova me BE-në për zbatimin e sundimit të ligjit, do të shkilte obligimet që Kosova ka marrë përsipër dhe kjo do të kishte ndikim negativ në marrëdhëniet Kosovë – BE. Tani ju takon të gjithë përfaqesuesve politikë dhe institucionalë të Kosovës që ta tejkalojnë dhe korigjojnë këtë iniciativë e cila është e dëmshme për pozitën ndërkombëtar të Kosovës dhe për rrugëtimin e saj integrues në BE”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE’së dhënë Periskopit.
Sa i përket vështirësive në viza, ka qenë deputeti i LDK’së, Naser Rugova, i cili në seancën e djeshme të Kuvendit, ka ngritur problemin e marrjes së vizave për udhëtime zyrtare.
Madje Rugova, ka folur edhe për ‘terrorin’ që po u bëhet nëpër ambasada.
“Nga vizitat që po i kemi dhe ftesat që po i kemi nga mekanizmat, institucionet e caktuara ndërkombëtarë, asociacionet apo edhe pjesëmarrja jonë në tubime të caktuara, është një terror i vërtetë i procedimit lidhur me vizat, paramendoni kur një trajtim i tillë bëhet për neve si të zgjedhur të popullit me çka ballafaqohet qytetari i Kosovës. Andaj zotëri kryetar kërkoj nga ju dhe kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të arrijnë një marrëveshje me ambasadat relevante këtu, kush ka probleme me ligjin dhe probleme të tjera është çështje tjetër, mirëpo thjeshtë imazhi, profili, identiteti i shtetit tonë po edhe i institucionit më të lartë që është Kuvendi i Republikës së Kosovës po nëpërkëmbet dhe ne si të zgjedhur të popullit dhe si institucione pa marr parasysh pozitë, opozitë duhet ta ngritim këtë çështje si të zgjedhur të popullit”, ka thënë Rugova, shkruan Periskopi.
Deputeti i LDK’së i ka kërkuar kryeministrit Haradinaj që të merret seriozisht me këtë problem.
“Kërkoj nga kryeministri i Kosovës, të bisedojnë me ata ambasador dhe përfaqësues diplomatik që nuk lënë gurë pa hedhur ndaj shtetit të Kosovës, ndaj institucioneve të Kosovës pa marr parasysh se kush qeverisë me Kosovën. Ata na përfaqësojnë të gjithë neve e përfaqësojnë profilin, identitetin dhe imazhin e këtij shtetit kemi dëshmi dhe jemi dëshmitar të paradokseve dhe skandaleve të tilla diplomatike”, theksoi Rugova.
Por, kujtojmë që vetëm javën e fundit, fjalori i kryeministrit ndaj ambasadave të huaja, ka qenë mjaft i ashpër.
Madje, ai ka thënë se ‘nuk u japim llogari ambasadorëve për vendimet që merr Kuvendi’.
“Dhomat e posaçme, iniciativa është e parlamentit ne e respektojmë Parlamentin. Ne Parlamenti na ka zgjedhur, vetëm parlamentit i japim llogari nuk i japim llogari ambasadorëve mos harroni këtë, do të thotë Qeveria e vendit llogari i jep parlamentit, parlamenti na ka zgjedh, ambasadorëve iu japin llogari marrëdhënieve diplomatike të marrëdhënieve me shtetin, por ne nuk i kemi punëdhënës ata, ne i kemi punëdhënës deputetët dhe sillemi me respekt ndaj tyre. Tani lënda është në Qeveri, janë procedura që duhet me u kaluar, i kemi 30 ditë, do t’i kalojmë procedurat në afat kohor të paraparë“, tha Haradinaj.
Kjo deklaratë e kryeministrit, vjen pas deklaratës paraprake të ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ka thënë se ata që përkrahin zhbërjen e Speciales, do të përballen me pasoja të rënda.
Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, në një adresim për mediat ka folur për Gjykatën Speciale, ku ka paralajmëruar deputetët e Kuvendit si dhe politikanët të cilët e përkrahin shfuqizimin e saj do të përballen me pasoja të rënda.
“Ky përkushtim është nën kërcënim serioz nga një nismë për ta zhbërë apo ndryshuar ligjin që autorizon Gjykatën Speciale. Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat vetanake mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj përkundër mohimit të tyre do të iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra. Ata e dinë këtë sepse ua kemi thënë”, ka thënë ambasadori Delawie. /Periskopi/












