Si ndotet ajri në Prishtinë – qytetari publikon video të furrës që tymos zi në mes të kryeqytetit (Video)

Aktualisht Prishtina është një ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë. Ndotja e ajrit ka arritur përmasa shqetësuese me uljen e temperaturave, kur paraqitet nevoja që qytetarët të gjejnë alternativa për ngrohje të hapësirave të tyre të banimit, shkruan Periskopi. Deri tani nuk është bërë asgjë nga institucionet për të përmirësuar gjendjen e […]
Ndotja e ajrit ka arritur përmasa shqetësuese me uljen e temperaturave, kur paraqitet nevoja që qytetarët të gjejnë alternativa për ngrohje të hapësirave të tyre të banimit, shkruan Periskopi.
Deri tani nuk është bërë asgjë nga institucionet për të përmirësuar gjendjen e rëndë, edhe pse gjendje e njëjtë me ajrin e ndotur ishte edhe dimrin e vitit të kaluar.
Përkundër se nuk ka pasur një proces verifikimi, mendohet se ndotësit kryesor të ajrit janë bizneset dhe familjet që ngrohen me thëngjill gjatë stinës së dimrit, shkruan Periskopi.
Një qytetar kishte publikuar në Facebook një video nga lagjja “Dardania” në Prishtinë, ku shihej se si nga një oxhak që thotë se është ndërtuar nga koha kur Ismet Beqiri ishte kryetar i kryeqytetit, tymoste intensivisht tym të zi në ajër.
Fatmir Lama, në Facebook kishte shkruar se inspektorët e asaj kohe të qeverisjes e kishin lejuar ndërtimin dhe funksionimin e këtij oxhaku që i shërben një furre.
Lama i ankohet kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti se edhe inspektorët e tij po e lejojnë të njëjtën gjë.
“Një informatë për kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti. Dje u vërtetua se Prishtina është një ndër vendet më të ndotura në botë. Po ju dërgoj këtë xhirim që e bërja dje në lagjen Dardania “Kurriz”. Ky oxhak që po tymon, është ndërtuar në kohën e sundimit të Ismet Beqirit. Unë dhe banorët e lagjes kemi kërku që të mos lejohet funksionimi i një furre me dru në qendër të Dardanisë në Prishtinë. Inspektorët e asaj kohe lejuan ndërtimin dhe funksionimin e kësaj furre me dru, gjë të cilën po e vazhdojnë ta bëjnë edhe inspektorët tuaj z. Kryetar Shpend Ahmeti”, kishte shkruar Lama para disa javësh në Facebook.
Përndryshe, tashmë në Facebook është paralajmëruar një protestë ndaj institucioneve për gjendjen e krijuar me ajrin e ndotur. Qindra njerëz e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë protestë, që do të mbahet të mërkurën. /Periskopi/












