Hoxhaj takohet me ministrin e Jashtëm malazias, paralajmëron forcim të marrëdhënieve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sonte në mbrëmje në Podgoricë ministrin e Jashtëm të këtij shteti, Srdjan Darmanoviq. Hoxhaj e ka publikuar një fotografi të takimit në profilin e tij në Twitter, dhe ka folur për forcim marrëdhëniesh mes dy shteteve këtë vit. “Në takimin e shkëlqyer sot në Podgoricë me ministrin e […]
Hoxhaj e ka publikuar një fotografi të takimit në profilin e tij në Twitter, dhe ka folur për forcim marrëdhëniesh mes dy shteteve këtë vit.
“Në takimin e shkëlqyer sot në Podgoricë me ministrin e Jashtëm, Darmanoviq ku diskutuam për zhvillimet rajonale dhe agjendën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Kosova dhe Mali i Zi do t’i forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet gjatë vitit 2018”, ka shkruar Hoxhaj.
Nuk është e qartë nëse kjo është lëvizje për të bindur Malin e Zi për një marrëveshje për demarkacionin para votimit në Kuvend. Më 6 shkurt në Prishtinë do të qëndrojë kryeministri malazias, Dushko Markoviq me ç’rast do të mbizotërojë tema e demarkacionit.
Koha Ditore ka shkruar sot se një deklaratë e përbashkët rreth demarkacionit nuk përbën opsion për Malin e Zi, i cili e ka ratifikuar Marrëveshjen për shënjimin e kufirit.
Në prag të vizitës së kryeministrit malazias, Dushko Markoviq, zyrtarë të këtij shteti kanë përsëritur se demarkacioni për ta është çështje e mbyllur, pavarësisht përpjekjeve në Prishtinë që të përgatitet një deklaratë e përbashkët.
“Sa i përket çështjes së demarkacionit, pozicioni i Malit të Zi nuk ka ndryshuar as nuk do të ndryshojë”, ka thënë Srdjan Kusovac, këshilltar i kryeministrit, Dushan Markoviq, kur është pyetur nëse po diskutohen zgjidhjet përfshirë edhe ajo për një deklaratë të përbashkët.
Këtë qëndrim e kishte përsëritur edhe ministri i jashtëm malazias, Zoran Pazin, në takimin e zhvilluar në Podgoricë me homologun nga Kosova, Behgjet Pacolli. Diplomatit kosovar, sikurse edhe paraardhësve të tij në Qeveri, i është thënë direkt nga zyrtarët e lartë të Podgoricës se demarkacioni për ta është çështje e mbyllur.












