Ajri skajshmërisht i ndotur nxitë protestë në Prishtinë

Niveli i ndotjes së ajrit është rritur bashkë me shqetësimet për shëndetin, javëve të fundit në Prishtinë. Rreth kësaj çështje në kryeqytet do të organizohet një protestë në shenjë indinjate ndaj institucioneve vendore për neglizhimin e situatës. Protesta do të mbahet gjatë ditës së mërkurën në Prishtinë. Thirrje për protestë është duke u bërë në […]
Niveli i ndotjes së ajrit është rritur bashkë me shqetësimet për shëndetin, javëve të fundit në Prishtinë. Rreth kësaj çështje në kryeqytet do të organizohet një protestë në shenjë indinjate ndaj institucioneve vendore për neglizhimin e situatës.
Protesta do të mbahet gjatë ditës së mërkurën në Prishtinë. Thirrje për protestë është duke u bërë në rrjetin social në Facebook.
Prishtinasit po kërkojnë që çështja e ndotjes së ambientit të merret më seriozisht nga ana e Qeverisë dhe pushtetit lokal.
“Pra, është koha e qytetarit dhe një proteste për të gjetë zgjidhje rreth kësaj problematike të rrezikshme. Ne, qytetarët e Prishtinës, kërkojmë që kjo çështje të merret seriozisht nga Qeveria dhe Pushteti Lokal. Koha po kalon dhe ne nuk po shohim asnjë plan më konkret e të detajizuar për ta zgjedhë problemin e ndotjes. Secili jemi viktimë, dhe askush nuk pret një mrekulli me shkop magjik për problemin”, thuhet në përshkrimin rreth protestës.
Protesta do të organizohet më 31 janar (e mërkurë), ora 12:00 – Para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.
Ndërkohë që alarmin rreth ndotjes së ambientit e ka dhënë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publik, duke u sugjeruar kosovarëve që të dalin në qytet me maska.












