Zyra e Kryeministrit sërish ‘sulmon’ gazetarët, kësaj radhe lidhur me raportimet për Gazmend Sylën

Publikimin e lajmit se këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Gazmend Syla, i emëruar sot në kabinetin e Kryeministrit, është i dyshuar se ka lidhje me krimin, ka bërë që Zyra për Media e kryeministrit ta quaj si fushatë kundër Qeverisë. Insajderi raportoi sot Haradinaj e ka emëruar Gazmend Sylën këshilltar për çështje të veteranëve të […]
Insajderi raportoi sot Haradinaj e ka emëruar Gazmend Sylën këshilltar për çështje të veteranëve të luftës dhe sesi Syla në shumë dosje hetimore dyshohet si njeri i lidhur me grupet më të rrezikshme të vrasësve në Kosovë.
Ai ishte pjesë e rastit të rrëmbimit të biznesmenit Azem Morina, së bashku me Bedri Krasniqin dhe dy truproje të Haradinajt. Syla kishte lidhje të shumta me grupin e vrasësve të dy policëve në vitin 2004.
Zyra për Media e kryeministrit Haradinaj, ka reaguar duke thënë se shprehin “keqardhje për publikimin ose ritransmetimin e informatave të pasakta e tendencioze nga disa media, lidhur me emërimin e Gazmend Sylës, këshilltar politik i Kryeministrit për çështje të veteranëve të luftës të UÇK-së”.
Sipas Zyrës për Media, “Gazmend Syla pavarësisht pretendimeve, nuk ka asnjë proces të hapur dhe asnjë telash me ligjin”.
Insajderi ka kërkuar sqarime nga kabineti i Haradinajt për emërimin e Sylajt – këshilltar. Këshilltari tjetër i Haradinajt, Avni Arifi pyetjet e Insajderit i ka cilësuar neveritëse dhe të pavërteta.
“Unë edhe dje ju rekomandova që të kontaktoni zyrën për komunikim. Megjithatë komenti i vetëm për akuzat e përmendura se janë neveritëse dhe te pavërteta”, ka thënë Arifi.
E sipas Zyrës së Kryeministrit, lajmet e tilla janë një fushatë kundër Qeverisë.
“Publikimi i informatave për akuza të pavërtetuara ndaj z. Syla por edhe të tjerëve, për ne përbënë shkelje të etikës profesionale dhe e konsiderojmë fushatë të disa mediave kundër Qeverisë së Kryeministrit Haradinaj”, thuhet në reagimin e Qeverisë.












