Zogiani numëron problemet e shumta që sot ka arsimi në Fushë-Kosovë, fajin ia lë keqqeverisjes

Kandidati për kryetar të komunës së Fushë-Kosovës nga Vetëvendosje, Avni Zogiani, pak para fillimit të vitit shkollor ka shkruar një përmbledhje të problemeve që sot kanë shkollat e kësaj komune, gjë që sipas tij, kanë shkaktuar një rënje drastike të arritshmërisë për nxënësit. Ai duke përmendur keqqeverisjen, ka thënë se Fushë-Kosovën e pret edhe një […]
Ai duke përmendur keqqeverisjen, ka thënë se Fushë-Kosovën e pret edhe një vit i vështirë shkollor për shkak të papërgjegjësisë së Komunës.
Ndër problemet më të mëdha sipas tij, është fakti që klasët janë të stërngarkuara, pastaj mungesa e kualifikimit të duhur për mësimdhënësit, caktimi i konrdinatorëve, infrastruktura etj.
‘’Vetëvendosje mendon që hapi i parë që duhet të merret në arsim, sikundër edhe në fusha tjera, duhet të jetë vendosja e një përgjegjësie, një llogaridhënje në të gjitha nivelet, një sistemi të kontrollit të standardeve profesionale, një ekzaminim i përgaditjes së punëtorëve të arsimit, si dhe një racionalizim i shpenzimeve të komunës në mënyrë që të rriten investimet në arsim.’’, ka shkruar ai.
Ja postimi i plotë:
Fushë-Kosovën e pret edhe një vit i vështirë shkollor për shkak të papërgjegjësisë së Komunës
Fushë-Kosova fillon edhe një vit shumë të vështirë shkollor me shumë probleme dhe pothuajse pa përpjekje të Komunës për të përmirësuar ktë sektor. Me një notë mesatare afër 2 (dy) kjo komunë sot ka humbur mundësinë që të jetë konkurrente madje edhe në Kosovë e lëre më në ndonjë rang më të gjerë. Shumica e problemeve që sot i ka sistemi i edukimit në Fushë-Kosovë, janë rezultat direkt i mos-punës, ose i veprimeve të gabuara të administrates komunale, përkatësisht Drejtorisë për arsim. Pikërisht për shkak të mungesës së llogari-dhënjes, disa mund të mos fillojnë fare mësimin javën e parë, duke qenë se vetëm nga fundi i kësaj jave ka filluar lyerja e tyre, gjë që kërkon së paku një javë.
– Problemi më i madh i kësaj komune është fakti se klasët janë të stër-ngarkuara, disa nga to madje detyrohen të mbajnë mësim deri me 50 nxënës në një klasë.
– Problemi tjetër është mungesa e kualifikimit të duhur për mësimdhënësit në të gjitha nivelet shkollore, ku rol shumë të madh ka luajtur nepotizmi nga administrata komunale. Pothuaj se secili drejtor ka familjarët e punësuar në fushën e arsimit, dhe disa nga ta madje edhe kanë shfrytëzuar pozitën e tyre për të përfituar ndonjë diplomë nga institucionet për arsimin e lartë me qëllim të punësimit të anëtarëve të vet në sektorin e arsimit.
– Caktimi i koordinatorëve për cilësinë në arsim bëhet në mënyrë të gabuar, nepotike dhe me ndikime të forta partiake, gjë që nuk garanton se do të ketë një verifikim të pavarur të cilësisë në arsim.
– Fushë-Kosova është shumë larg nga vënja në praktikë e kurikulave të reja për shkak se ka probleme të mëdha administrative dhe mësimdhënësit nuk janë profesionalisht të përgaditur.
– Një pjesë e mirë e shkollave kundërmojnë nga erë të keqe (Mihail Gameno, Bardhi i Madh, etj), sepse nuk kanë ujë ose kanalizim adekuat dhe kështu banjot nuk mund të pastrohen, kurse një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk kanë ngrofje të mjaftueshme edhe pse komuna blen lëndë djegëse mesatarisht 40,000 euro në vit, të cilat në masë të konsiderueshme iu dedikohen shkollave, por jo rrallë përfundojnë të stër-shitura nga fituesit e tenderëve.
– Së paku një shkollë në Fushë-Kosovë (përkatësisht në fshatin Henc) është e rrezikshme për shëndetin e nxënësve, për shkak se ndërtimi i saj nuk ka pasur mbikëqyrje adekuate nga Komuna dhe si rezultat, ajo në dimër ka një lagështi të lartë, gjë që ka detyruar prindërit me mundësi më të madhe t’i largojnë fëmijët nga shkolla për t’i dërguar gjetiu.
– Në së paku një rast (Bardhi i Vogël) komuna ka vendosur ta mbyllë shkollën pas renovimit, nën pretekstin se nuk ka majftueshëm nxënës, edhe pse numri i nxënësve për ciklin e ulët është sjellur mes 15 e 20 nxënës, numër që do të duhej në të vërtetë të ishte një standard për një klasë, po të ishte qëllimi një edukim kualitativ. Me fjalë tjera, shkollat renovohen dhe ndërtohen, për tu mbyllur menjëherë , duke qenë se ka një interes të ngushtë të zyrtarëve komunal për tenderët.
– Një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësëve në komunën e Fushë-Kosovës kanë nevojë për një ri-kualifikim, duke qenë se as që janë të prezantuar me standarde të reja në mësimdhënje. Janë të pakët ata që shfrytëzojnë laboratoret edhe pse në fakt shumica e shkollave nuk kanë madje as laboratorë me kompjuterë e lëre më ndonjë të fushave të caktuara, ta zëmë për kimi apo fizikë.
– Komuna e Fushë-Kosovës në kornizën afatmesme të shpenzimeve planifikon të shpenzojë vetëm dicka mbi 4% nga buxheti vetanak për investime në arsim, përkatësisht diku rreth 120 mijë euro. Ndërkohë që ka shpenzime enorme operacionale, gati dyfishin e shpenzimeve për arsim, nga të cilat me dhjetra mijëra shpenzohen në aktivitete reprezentuese, që në fakt lirisht mund të konsiderohet se shpenzohen në luksin e zyrtarëve komunal, të cilët në të shumtën e rasteve vikendet i kalojnë jasht vendit.
Kjo është vetëm një përmbledhje e problemeve që sot kanë shkollat e Fushë-Kosovës, gjë që ka shkaktuar një rënje drastike të arritshmërisë për nxënësit. Shkollat e Fushë-Kosovës nuk sigurojnë një të ardhme për fëmijët e kësaj komune, ashtu sic ndodhte dikur. Të njejtat shkolla vetëm dy dekada më herët kanë qenë konkurruese me shkollat më të mira ne kryeqytet, kurse sot ato janë një opcion i padëshirueshëm, por shpesh i detyruar për nxënësit me ambicje me të mëdha.
Shumë prindër të nxënësëve, kushtimisht autodidaktë, që bëjnë përpjekje për të pasur një arritshmëri të lartë pavarësisht nga ajo që ofron shkolla, janë të frustruar kur fëmijët e tyre, për shkak të vendbanimit, detyrohen që shkollën e mesme ta kryejnë në Fushë-Kosovë. Madje nuk janë të rralla përpjekjet e prindërve që provojnë t’i regjistrojnë fëmijët e tyre si banorë në Prishtinë me qëllim që ata ta kenë një shkollë që i përgaditë pak më mirë për një konkurrueshmëri në rang vendi. Ne kemi pasur raste të ankesave të prindërve të tillë, të cilët janë ndjer të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, kur kanë kuptuar se madje as ndërrimi i vendbanimit atyre nuk iu mundëson regjistrim në shkollat që preferohen më shumë sesa ato të Fushë-Kosovës.
Vetëvendosje në Fushë-Kosovë ka përcjellur vazhdimisht zhvillimet në sektorin e edukimit dhe ka konstatuar se para së gjithash kjo situatë në arsim është pasojë e papërgjegjësisë dhe degradimit në Komunën e Fushë-Kosovës. Të shikuarit e edukimit thjesht si një tender ku mund të zhvatet dhe si një vend me mundësi për të punësuar familjarët apo militantët partiakë, ka bërë që degradimi të thellohet dhe të reflektohet në shumë aspekte të sistemit të arsimit në Fushë-Kosovë.
Vetëvendosje mendon që hapi i parë që duhet të merret në arsim, sikundër edhe në fusha tjera, duhet të jetë vendosja e një përgjegjësie, një llogaridhënje në të gjitha nivelet, një sistemi të kontrollit të standardeve profesionale, një ekzaminim i përgaditjes së punëtorëve të arsimit, si dhe një racionalizim i shpenzimeve të komunës në mënyrë që të rriten investimet në arsim. Vetëvendosje ka një program me aspekte të vecanta për sistemin e arsimit në Fushë-Kosovë, i cili po përgaditet të prezantohet para qytetarëve fushëkosovas në segmente të vecanta, varësisht nga specifikat ekzistuese në vendbanime e shkolla të ndryshme.












