Veseli paralajmëron Vettingun, Besa Gaxherri e godet ashpër

Ish-kreu i SHIK-ut, tash kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka folur sot për ligjin e Vettingut. Veseli në një konferencë për media ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me propozimin që edhe Kosova të ketë një ligj, që njihet si Vetting, nëpërmjet të cilit kontrollohet figura e dikujt […]
Por, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka thënë për Periskopin se ky deklarim i Veselit është një ndër lojërat bajate të tij, siç ka thënë ajo, që prej se ka dalë nga nëntoka mbi tokë.
“Ky far deklarimi i Kadri Veselit është një ndër lojërat bajate të tij, që prej se e njohim, që kur ka dalë nga nëntoka mbi tokë, janë vërtetë deklarime që i bënë sa për të përmirësu imazhin e tij i cili është në shënjestër çdo ditë, dhe që asnjëherë normal nuk është spostu”, ka thënë ajo.
Sipas Gaxherrit, është shumë e domosdoshme që të ketë Vetting në Kosovë, por këtij procesi në radhë të parë duhet t’i hyjë vetë Kadri Veseli.
“Është shumë e domosdoshme që të ketë Veting në Kosovë, dhe normal që duhet të spastrohen, në radhë të parë duke fillu nga Kadri Veseli dhe të gjithë politikanët para se të marrin ndonjë detyrë. Ne do të jemi aty, jo për të bërë shaka me këtë temë por vërtetë për të pasur një proces shumë korrekt”, ka thënë Gaxherri.
Ajo tha se si shtet i ri që është Kosova, nuk ka pasur mundësi që kjo të bëhet deri më tash.
“Por koha ka ardh, dhe vërtetë nuk mundem më me depërtu tipat si Kadri Veseli, Hashim Thaci e Ramush Haradinajt, e shumë të tjerë me radhë që janë sot në politikë, që të depërtojnë e të jenë në krye të shtetit. Sepse shteti tash kërkon njerëz me duar të pastra dhe të ditur sepse ne kemi shumë sfida përpara”, u shpreh ajo. /Periskopi/












