Ta shkarkojnë apo mos ta shkarkojnë – dilema brenda LDK-së për Bulliqin

Pas deklaratës së dhënë të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri se Shpejtim Bulliqi nuk është më pjesë e LDK-së, nënkryetari tjetër i saj, Agim Veliu ka thënë të kundërtën. Ai thotë se LDK as nuk e ka shqyrtuar ndonjë gjë të tillë. Në një prononcim për Indeksonline, Veliu thotë se LDK nuk e ka parë […]
Në një prononcim për Indeksonline, Veliu thotë se LDK nuk e ka parë të udhës të diskutojë në lidhje me përjashtimin e tij ose jo. Gjithashtu ai thekson se as vet ai personalisht nuk e kishte vënë këtë gjë në diskutim, duke theksuar se deklaratat tjera janë personale dhe individuale.
“LDK ka organe nëse vendos të bëj diçka të tillë ai duhet të procedojë, nuk shkon kjo punë me deklarata. Nuk janë punë që bëhen me deklarata. Është një veprim që kryesia e LDK-së nuk e ka pa të udhës të ulet të diskutojë atë veprim. Unë nuk e kisha bërë atë veprim. Unë personalisht nuk e kisha bërë, por dikush e bën dhe ato janë veprime individuale të njerëzve”, ka thënë Veliu.
Ndërsa, sa i përket veprimit të Bulliqit për t’u bërë kryetar i Komisionit Shtetëror për Demarkacionin, Veliu thotë se ai nuk është konsultuar fare me LDK-në para një vendimi të tillë.
“Jo more jo… nuk është konsultuar. Nuk është e nevojshme, ai vepron duke menduar se është veprim i mirë, pastaj punët e partisë janë punë të tjerë. Nëse partia ulet e shqyrton atë veprim, ulet e merr një vendim. por deri tash nuk e ka parë të arsyeshme”, ka thënë ai.
Ndryshe, pas deklaratës së Hazirit është kundërpërgjigjur vet Bulliqi, i cili ka thënë se ai ka qenë, është dhe do të jetë pjesë e LDK-së.
“Sapo lexova një prononcim të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri i cili paska deklaruar se unë nuk jam në LDK. Njoftoj të gjithë miqtë dhe anëtarësinë e partisë sonë se unë, kam qenë, jam dhe do të jem në LDK”, deklaroi më herët Bulliqi në një postim në Facebook.












