Qeveria shqiptare nis operacionin e spastrimit të shtetit nga rrjeti i Ilir Metës

Mazhoranca qeverisëse ka nisur spastrimin e militantëve të LSI në radhët e administratës. Gjatë fushatës, kryeministri e bëri të qartë se do u japë fund emërimeve nepotike dhe politike dhe plani ka filluar të zbatohet. Pasi PS u rikonfirmua në krye të qeverisë, shumë prej militantëve të LSI iu bë e qartë se duhet që të […]
Mazhoranca qeverisëse ka nisur spastrimin e militantëve të LSI në radhët e administratës. Gjatë fushatës, kryeministri e bëri të qartë se do u japë fund emërimeve nepotike dhe politike dhe plani ka filluar të zbatohet. Pasi PS u rikonfirmua në krye të qeverisë, shumë prej militantëve të LSI iu bë e qartë se duhet që të largohen nga detyra. Mirëpo deri më tani, një pjesë e madhe janë udhëzuar që të qëndrojnë në detyrë. Shkarkimi i tyre mund t’i kushtojë shtetit sepse, sipas ligjit, shkarkimi do një arsye dhe ndryshe ata mund të ankohen në gjykatë. Por socialistët janë duke ndjekur një tjetër strategji.
Sipas burimeve të sigurta pranë Kryeministrisë, në shumë institucione kanë nisur transferimet e punonjësve. Më të prekurit janë të emëruarit e LSI, të cilët po largohen nga postet aktuale dhe po delegohen në drejtori e inspektorate që do të preken nga reforma. Këto drejtori, shumë shpejt do të shkrihen dhe bashkë me të do shkarkohen dhe punonjësit. Pra, strategjia e socialistëve është që në të gjitha institucionet që do të shkrihen të transferojnë punonjësit e LSI, në mënyrë që ata të mos kenë arsye të ankohen në gjykatë, pasi ligji e ka të parashikuar shkarkimin për shkak të ristrukturimeve. Ndërkohë ka dhe shumë të tjerë që janë në detyrë, por dhe për ta do të ndiqet e njëjta strategji.
Të gjithë punonjësit e LSI do transferohen te dikasteret që shkrihen dhe detyrimisht të gjithë do largohen nga administrata. Ky proces ishte thelbi i fushatës së PS dhe kjo ka nisur të zbatohet. Rama tha se tepsia e pushtetit do të shkojë për skrap dhe LSI do jetë partia që do preket. Sipas kryeministrit, ajo ka bërë emërime nepotike e politike në dhjetra dikastere dhe reforma do e godasë të parën. Megjithatë, Rama e ka bërë të qartë se dhe ata socialistë që janë të paaftë dhe janë emëruar politikisht, do të largohen. Shtatori do jetë vendimtar për reformën në administratë dhe do jepen efektet e para. Rama aktualisht ka një listë me të gjithë punonjësit e LSI nëpër institucione dhe të gjithë do të largohen nga detyra.
Dikasteret e LSI
Spastrimet në radhët e LSI kanë filluar në të gjithë vendin. Tirana është qarku kryesor, ku LSI ka pjesën dërrmuese të drejtorive. Sipas informacioneve, institucionet që po preken nga largimet janë: Posta Shqiptare; Hipotekat; KESH; Drejtoria e Transportit Rrugor; Shëndeti Publik; Autoriteti Rrugor; Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OST); Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare. Po ashtu në Tiranë janë dhe ministritë. LSI ka aktualisht Ministrinë e Transporteve, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Integrimit.
Në të gjitha këto ministri do nisë vala e largimeve pasi të kenë ikur ministrat. Nga furtuna do preken dhe qytetet e tjera. Në Shkodër për shembull, institucionet ku do ketë largime janë: Drejtoria e Patentave; Drejtoria e Rrugëve; Drejtoria e Hipotekës; Posta Shqiptare; Drejtoria e OST; Reparti i Zjarrfikësve; Pyjet dhe Bordi i Kullimit; Dega e AKU; Drejtoria e Transportit Rrugor, etj. Nëse shihen me kujdes të gjitha qarqet, sektorët më të prekur janë: Drejtoritë e Bujqësisë, Drejtoritë e Pyjeve dhe të Kullimit, si dhe Drejtoria e Transportit. Po ashtu janë dhe Posta Shqiptare me KESH dhe OST. Në këto institucione do nisë furtuna dhe Rama ka paralajmëruar se nuk do ketë asnjë tolerim.












