“Qeveria me kapacitete të vogla dhe ministra të pa përvojë”

Ministrat e Qeverisë Haradinaj, po konsiderohen si njerëz pa eksperiencë dhe kompetencë për realizimin e suksesshëm në dikasteret ku janë caktuar, derisa kryeministri Ramush Haradinaj po konsiderohet si kryeministër i dorës së dytë në Kosovë, pasi kryeministër i dorës së parë për ministrat është dikush tjetër. Derisa qytetarët presin shumë nga Haradinaj, për shkak të […]
Ministrat e Qeverisë Haradinaj, po konsiderohen si njerëz pa eksperiencë dhe kompetencë për realizimin e suksesshëm në dikasteret ku janë caktuar, derisa kryeministri Ramush Haradinaj po konsiderohet si kryeministër i dorës së dytë në Kosovë, pasi kryeministër i dorës së parë për ministrat është dikush tjetër.
Derisa qytetarët presin shumë nga Haradinaj, për shkak të siç thonë ata 100-ditshit të tij të suksesshëm, përfaqësues të LDK-së i shpallën luftë demokratike kësaj Qeverie, në mënyrë që sa më parë ta rrëzojnë dhe të shkohet në zgjedhje.
Zgjedhjet e përgjithshme janë mbajtur me 11 qershor të këtij viti, por vetëm gjatë ditës së djeshme Kosova zyrtarisht është bërë me Qeveri.
Pas shumë tentativave, vetëm dje është votuar për kryeministrin dhe për kabinetin qeveritar.Tashmë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, para votimit paraqiti kabinetin e tij qeveritar, i cili përbëhej nga pesë zëvendëskryeministra dhe nga 21 ministra.
Kabineti qeveritar i prezantuar nga kryeministri përbëhej nga emra të njohur, por kishte edhe emra të cilët nuk ishin të njohur më parë.Analisti politik, Behlul Beqaj, ka thënë se shumica e tyre janë pa eksperiencë në dikasteret ku ata janë përcaktuar për t’i udhëhequr.
Ndërsa, rritjen e numrit të ministrive e sheh si një përmbushje të apetiteve të militantëve të cilët e kanë bërë qeverisjen në Kosovë.
Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, deputeti nga LDK, Driton Selmanaj, e sheh si Qeveri e cila nuk do të arrijë të kryejë punë më shumë se një vit.
Ai parasheh se kjo Qeveri do të rrëzohet për mungesë të vendimmarrjes për temat më të vogla, kjo sipas tij për shkak të numrit të vogël të votave që ka kjo Qeveri.
Kurse, shefi i tij, Avdullah Hoti paralajmëroi se nga sot nisin ‘luftën demokratike’ për rrëzimin e Qeverisë.
Kur u pyetën se cilat janë pritshmëritë nga kabineti i ri qeveritar dhe se çka presin nga qeveria e Ramush Haradianj, qytetarët patën përgjigje të ndryshme.
Disa thonë se Haradinaj do të jete ai që do të sjellë ndryshime në Kosovës, e disa të tjerë shprehen pesimist, meqë sipas tyre asgjë nuk do të ndryshojë dhe se gjërat vazhdojnë siç kanë qenë.
Kushtrim Reci, tha se duhet të kemi parasysh 100 -ditshin e famshëm të Ramush Haradinajt në të kaluarën e tij si kryeministër duke e konsideruar atë si të suksesshëm.. Ai konsideron se kjo Qeveri është adekuate dhe se duhet t’i leme kohë Haradinajt që të vërejmë ndryshimin.
Myhesere Suhodolli dhe Myzejene Shabani, thonë se presin ndryshime pozitive nga Haradinaj për jetën e qyetarëve. Ato thonë se fushat nëpër te cilat duhet të punohet më së shumti janë ekonomia dhe punësimi i të rinjve.
Për Fehmi Gubetinin Ramush Haradinaj është njeri i duhur për të qeverisur me vendin ,pasiqë atë e kishte caktuar kryeministër ish-presidenti Rugova. Gubetini si problem të kësaj përbërje qeveritare e sheh Serbinë, duke thënë se politike nuk po i zgjidhin problemet vetë mirëpo po ia lënë në dore armikut.
Një qytetar tjetër i cili dëshiroi të mos i publikohej emri, tha për KosovaPress se politikanët tanë po ndjekin vetëm interesat vetjake dhe populli nuk po mund të përparojë, derisa ka përmendur edhe faktin që te rinjtë e Kosovës po ikin nga vendi, e për të cilin një fenomen i tillë është mjaft shqetësues.
Shumica e qytetarëve janë deklaruar se presin që të punohet më së shumti në ekonomi dhe se punësimi duhet të jetë prioritet për qeveritarët.












