PAN’i ende s’i ka finalizuar pazaret brenda koalicionit

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka konfirmuar se vazhdimi i seancës do të mbahet këtë javë. Ai me këtë rast ka thënë se do të ishte e rrugës që seanca të mbahej më 7 shtator, ndonëse ende nuk janë finalizuar marrëveshjet brenda koalicionit. “Kurdo që kërkohet të mbahet besoj se do të thirret. Meqenëse procesi […]
“Kurdo që kërkohet të mbahet besoj se do të thirret. Meqenëse procesi i marrëveshjeve me grupet politike të koalicionit akoma nuk e ka arritur finalen, unë po besoj që sot do të arrihet një finale dhe ndoshta do të ishte mirë që më datën 7 të ketë seancë dhe ta përfundojmë si proces”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Ndërkohë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se ende nuk dihet data e saktë se kur do të mbahet seanca ndonëse është zotuar se një gjë e tillë do të ngjajë shumë shpejt.
“Ne po mundohemi që ‘saktësisht’ institucionet të bëhen sa më shpejt që të jetë e mundur. Por për një datë dhe për një orë kur do të ndodhë kjo do të koordinohen liderët e koalicionit dhe do të dalin me një qëndrim të përbashkët”, ka theksuar Lekaj.
Ndërkaq kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, ka bërë të ditur se është duke pritur që PAN-i ta njoftojë nëse i ka apo jo numrat për ta thirrur seancën. Mirëpo po që se PAN-i vendos të heshtë në këtë drejtim, sipas Mikullovcit, ekziston mundësia që seanca të thirret për të enjten (edhe nëse PAN-i vendos ta bojkotojë atë).
“Nuk kam kurrfarë informacioni, po pres edhe unë sikurse ju. Po presim kur t’i bëjë numrat PAN-i dhe ndoshta të enjten e caktoj mbledhjen, nëse pajtohen ‘Vetëvendosja’ dhe koalicioni LAA. Janë dy mundësi: nëse PAN-i deklarohet unë e thërras seancën; por nëse vendos LVV-ja dhe LAA-ja edhe ashtu e thërras seancën, edhe pa pëlqimin e PAN-it”, ka deklaruar ai për “Zërin”.












