Mustafa ka një paralajmërim për Qeverinë që do të drejtohet nga Haradinaj

Kryeministri në largim, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se deputetët e partisë së tij – LDK, nuk do t’i votojnë ligjet dhe aktet e tjera që do t’i sjellë në Kuvend Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj. “Ne nuk do t’i votojmë aktet që kjo qeveri do të sjellë në Kuvend, sepse ne konsiderojmë se kjo […]
“Ne nuk do t’i votojmë aktet që kjo qeveri do të sjellë në Kuvend, sepse ne konsiderojmë se kjo qeveri është fragjile”, tha Mustafa.
Ai i bëri komentet të premten pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Përveç kësaj, kreu i LDK-së tha se Qeveria që po ndërtohet nga PAN dhe Srpska është tejet e dyshimtë.
Ai ka thënë se Qeveria e re duhet të qartësojnë sa më parë çështjen e liberalizimit të vizave, transformimin e FSK-së dhe dialogun me Serbinë.
Sa i përket demarkacionit, Mustafa tha se do të donte që të votohet një demarkacion që e përcakton kufirin në Çakorr. Por, u shpreh skeptik se Haradinaj do t’iu qëndrojë besnik qëndrimeve kundërshtuese për vijën kufitare me Malin e Zi.
Mustafa ka deklaruar se opozitën në Kuvend do të bëjnë vetë, kur është pyetur se a do të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje. “Opozitën do ta bëjmë vetë pa Vetëvendosjen dhe asnjëherë në mënyra të dhunshme. Do të bëjnë opozitarizëm me mjete demokratike, me argumente”, tha Mustafa.












