Mungesa e Rugovës nxitë dyshimet se PAN ka tradhtuar të angazhuarit e ‘Listës Rugova’

Pakkush ishte habitur kur me 3 gusht të këtij viti, deputetja e LDK-së, Teuta Rugova kishte votuar pro propozimit të koalicionit PAN për të shtyrë seancën. Një vizitë e mëparshme e kandidatit për kryeministër nga ky koalicion tek rezidenca e presidentit Ibrahim Rugova, vajza e së cilit u bë politikane e heshtur e LDK-së, kishte […]
Një vizitë e mëparshme e kandidatit për kryeministër nga ky koalicion tek rezidenca e presidentit Ibrahim Rugova, vajza e së cilit u bë politikane e heshtur e LDK-së, kishte lënë të nënkuptohej se PAN kishte siguruar një votë nga tabori i kundërshtarëve.
Një “marrëveshje” e tillë mes Haradinajt dhe Rugovës ishte arritur me negocimin e vëllait të Rugovës, Ukë Rugova, ish-ministrit të dënuar të kulturës, Astrit Haraqija dhe ish-ministrit të Ambientit, Dardan Gashi.
Por, përkundër angazhimit të madh të tyre për të siguruar vota për Qeverinë Haradinaj, kjo nuk u arrit. Kësisoj koalicioni PAN pas dështimit që ta bindë turbo-folk këngëtarin e bërë deputet, Labinot Tahirin nga AKR-ja, vota e Rugovës nuk mjaftonte.
Por një muaj pas kësaj, vota e Teuta Rugovës është bërë e panevojshme.
PAN arriti ta bindë AKR-në e Behgjet Pacollit që të dalë nga koalicioni parazgjedhor me LDK-në dhe Alternativën dhe t’i bashkëngjitet një koalicioni paszgjedhor me ta.
Kësisoj PAN siguroi numrat e mjaftueshëm për Qeveri, megjithatë kryetari i këtij koalicioni, Kadri Veseli, nuk harroi që nga rezidenca private e aleatit të ri, Behgjet Pacollit të tregojë se puna e të angazhuarve nga ‘Lista Rugova’ në rezidencën e Ibrahim Rugovës, do të shpërblehej.
Veseli tha se këtij koalicioni do t’i bashkohet edhe një listë, të cilën ai e ka quajtur “Lista Rugova”, ani pse zyrtarisht kjo listë ishte shuar qysh në vitin 2014.
“I kemi edhe partnerët e tjera nga komunitetet dhe e kemi partneritetin tonë me kolegët nga Lista Rugova”, tha Veseli, pas nënshkrimit të marrëveshjes me AKR-në.
Megjithatë gjërat që ndodhën të nesërmen në bisedat e PANA me Listën Serbe, ndryshuan këtë premtim.
I përmenduri për të marrë post nga lista që kishte mbetur nga “Lista Rugova” ishte Dardan Gashi. Ai madje kishte shprehur dëshirën qysh moti, që të marrë ndonjë post në Qeverinë Haradinaj.
Por kërkesa e Listës Serbe që të marrë një ministri shtesë, pos dy që i kishte marrë nga PAN, detyroi AKR-në që të tërhiqet nga 5 postet e tyre ministrore, duke ia dhuruar postin e Ministrisë së Bujqësisë, Listës Serbe.
Me këtë u shuan shpresat që “Lista e Rugovës” të marrë postin e premtuar. AKR-ja me një ministri mangut, nuk mund të lëshojë më pe për të dhuruar ministri për ta. Është përfolur Ministria e Planifikimit Hapësinor të cilën e ka AKR-ja si vendi ku Gashi do të rikthehej si ministër.
Dyshimet se të angazhuarit nga ‘Lista Rugova’ janë tradhtuar nga koalicioni PAN u shtuan të enjten kur Kuvendi u mblodh përsëri për të vazhduar seancën që e kishte nisur në ditën kur Teuta Rugova kishte votuar pro PAN-it.
Por këtë herë Rugova nuk ishte aty. Megjithatë PAN arriti që ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin.
Insajderi ka provuar gjatë tërë ditës që të kontaktojë me Teuta Rugovën për të mësuar arsyen e mungesës së saj. Nuk e ka hapur telefonin dhe nuk ka kthyer as mesazhet telefonike.
Të paqasshëm kanë qenë edhe Dardan Gashi e Astrit Haraqija.
Pse Teuta Rugova nuk ishte aty nuk e ka sqaruar as partia e saj, LDK-ja. Kjo parti, megjithatë dërgoi një komunikatë nëpërmjet së cilës tha se “se koalicioni që sot e zgjodhi kryetarin e Kuvendit, diktohet plotësisht nga Lista Serbe dhe pazargjinjtë”.
Edhe pse i përmendi sekserët nuk tregoi asgjë për mungesën e Rugovës.
“Sot, koalicioni i sekserëve, dëshmoi po ashtu, se përfaqëson vetëm interesat e ngushta të tre individëve, të cilët synojnë të jenë në tri pozitat kryesore të shtetit, duke mos zgjedhur mjete dhe duke mos pasur asnjë konsideratë për të ardhmen e shtetit”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Por nuk vonoi shumë dhe foli vet kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ai ka shuar shpresën e koalicionit PANA se do ta ketë votën e deputetes Teuta Rugova.
“Koalicioni i PDK-së nuk e mori edhe votën e shumëpritur të deputetes Rugova. Vota e saj i takon partisë së Ibrahim Rugovës. Jo atyre që punojnë me logjikë të SHIK-ut, tregtarëve, pazargjijve e tabutgjijve”, ka shkruar Mustafa.
Mustafa ia shuan shpresat Haradinajt për votën e Teuta Rugovës
Se sekserët nuk do të marrin asnjë post ministror, u nënkuptua edhe nga një qëndrim i orëve të fundit të nënkryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.
I ftuar në emisionin InfoBox, disa orë pasi Veseli u zgjodh kryetar i Kuvendit, Krasniqi i iki përgjigjes në pyetjen nëse Veseli do ta mbajë fjalën për të angazhuar sekserët në poste ministrore.
Kransiqi përmendi vetëm “bashkëpjesëmarrjen e sekserëve” në Qeverinë Haradinaj duke e vlerësuar pozitivisht vetëm rolin e Teuta Rugovës në “zhbllokimin e institucioneve”.
“Nuk mund të them Lista Ibrahim Rugova do të jetë pjesë e Qeverisë, sepse nuk e di nëse funksionon ashtu, por një bashkëpjesëmarrje e kësaj fryme do të ekzistoj në Qeverinë Haradinaj”, tha Krasniqi.
Kur u pyet nëse një “bashkëpjesëmarrje e tillë” vlen edhe nëse Rugova nuk do të votojë për Ramush Haradinajn kryeministër, Krasniqi i dha shpresë të angazhuarve nga ‘Lista Rugova’.
“ Pavarësisht kësaj, e kemi një bashkëudhëtim në funksionalizimit të institucioneve por do të kemi një partneritet”, tha Krasniqi.
Në cilindo version, dëshira dhe gatishmëria e Dardan Gashi për të udhëhequr me një post ministror duket e paqartë nëse do të realizohet./Insajderi.com












