Ish-ministri i Malit të Zi parasheh destabilizim nëse Kosova nuk e pranon demarkacionin aktual

Demarkacioni i vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një nga çështjet e pazgjidhura edhe për Qeverinë e re të Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj, që në mbledhjen e parë të Qeverisë së re të Kosovës, shkarkoi Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, që udhëhiqej nga Murat Meha. Sipas Haradinajt, Komisioni […]
Kryeministri Ramush Haradinaj, që në mbledhjen e parë të Qeverisë së re të Kosovës, shkarkoi Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, që udhëhiqej nga Murat Meha.
Sipas Haradinajt, Komisioni i ri, i cili do të emërohet, do të punojë që t’i sjell Qeverisë të gjeturat për punët rreth shënimit të kufirit me Republikën e Malit të Zi.
Ish-ministri malazias i Drejtësisë, Dragan Shoq, tha për Radion Evropa e Lirë se për Malin e Zi, shënjimi i vijës kufitare me Kosovën është çështje e mbyllur.
Duke e komentuar vendimin e Qeverisë së re të Kosovës për shkarkimin e Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, Shoq tha se nëse vendimi është marrë që të korrigjohen, ato që Prishtina i sheh si gabime, atëherë kjo mund të sjellë destabilizim.
“Ata (pala kosovare) e kanë pasur Komisionin, i cili ka kryer punën e vet në bazë të së cilës është nënshkruar marrëveshja për demarkacionin, të cilën njëra palë (ajo e Malit të Zi) e ka ratifikuar. Edhe Qeveria e Kosovës e kishte dërguar këtë marrëveshje për ratifikim në Kuvend, që do të thotë se edhe Qeveria e Kosovës e kishte pranuar atë”, theksoi Shoq.












