”Formimi i Ekipit të Unitetit, kthim prapa për Kosovën”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do ta formojë Ekipin e Unitetit me përfaqësues të partive politike për të zhvilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. E, kjo ide e tij, po shihet si kthim prapa në kohën kur Kosova ende nuk kishte definim të statusit. Kështu është shprehur njohësi i çështjeve […]
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do ta formojë Ekipin e Unitetit me përfaqësues të partive politike për të zhvilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
E, kjo ide e tij, po shihet si kthim prapa në kohën kur Kosova ende nuk kishte definim të statusit.
Kështu është shprehur njohësi i çështjeve diplomatike, Fatmir Arifi, i cili gjatë një prononcimi për Indeksonline ka treguar arsyet pse kjo gjë e kthen Kosovën shumë prapa.
“Parimi i parë për çfarëdo lloj negociate në esencë ka për qëllim vendosjen e marrëdhënieve të mira në mes palëve. Realisht, negociatat në mes qeverisë se Republikës së Kosovës dhe asaj serbe, që në esencë kanë për synim marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore, deri më tani nuk janë arritur për arsye se qeveria serbe ka shkelur këtë parim, që në fakt ka komplikuar procesin! Duhet të theksojë se dialogu politik në mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së, i zhvilluar që nga viti 2011 nuk ka sjellë asnjë rezultat të pritur si pasojë që qeveria serbe e konsideron Republikën e Kosovës si pjesë të sovranitetit të saj. Kjo nënkupton se ekipet e dy palëve janë në thelb ekipe jo ekuivalente!”, ka thënë Arifi.
Sa i përket bisedimeve të mëtutjeshme, Arifi paralajmëron se do të ketë edhe lëshime të reja nga ana e Republikës së Kosovës kundrejt Serbisë në këmbim të njohjes së Kosovës.
Sipas tij, këtë gjë e ka treguar vet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përmes konsensusit të gjerë politikë dhe shoqëror për një “zgjidhje të çështjes së Kosovës” po përgatit opinionin serb për lëshime të reja që do të bëjë Republika e Kosovës.
“Nëse analizojmë idenë, kohën e fundit që ka prezantuar presidenti serb për konsensus të gjerë politik dhe shoqëror për një “zgjidhje të çështjes së Kosovës“ mbi bazën e një kompromisi, Vuçiq është duke e përgatitur opinionin serb për lëshime të reja që do të bëjë Republika e Kosovës kundrejt Serbisë në këmbim për të njohje të Kosovës. Tjetër, gatishmërinë e institucionit të presidenti të Republikës së Kosovës për të marrë pjesë në një fazë të re të dialogut përmes një farmatimi të ekipit të ashtuquajtur si “Ekipi i Unitetit”, do të nënkuptonte pajtueshmëri nga pala kosovare për implementimin e marrëveshjeve në mënyrë të njëanshme, pa u brengosur për implementim të palës serbe”, ka shtuar ai.
Megjithëse ideja e presidentit Thaçi nuk po vlerësohet shumë, Kosova nuk do mund të vazhdojë njësojë dialogun me Serbinë sic ka bërë deri më tani.
Këtë e tregon edhe fakti i shuarjes së Minstrisë së Dialogut, që pas formimit të Qeverisë së Re të Haradinajt, e cila po lë të nënkuptohet se dialogu do të zhvillohet në një nivel tjetër.
Për këtë çështje Indeksonline ka tentuar të flas me ish-ministren për Dialog, Edita Tahiri, mirëpo ajo nuk ka dashur të prononcohet, duke thënë se “për këtë temë nuk do të deklarohem tash për tash”.
E sa i përket shuarjes së saj, sipas Arifit kjo ministri nuk është se ka pasur relevancë edhe gjatë kohës së qeverisjes së mëparshme.
“Shuarja e ministrisë së dialogut nuk ka pasur ndonjë relevancë as gjatë kohës së qeverise së mëparshme. Negociata, zakonisht zhvillohen në të njëjtat formate. Në këtë kuadër, meqë qeveria serbe nuk ka pasur ministri të kësaj natyre, por dialogun e ka zhvilluar me ekipe të formatit tjetër, atëherë kjo ministri nuk kishte ndonjë arsyeje që të ekzistojë”, ka theksuar ai.
Ndryshe, sa i përket formës së vazhdimit të dialogut, Indeksonline ka provuar të kontaktojë edhe zyrën e presidentit, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.












