Çfarë di CIA për Serbinë dhe Millosheviqin

CIA ka burim të dhënash për vendet të cilat çdo vit publikohen në formë almanaku “The World Factbook”, shkruan “Blic” i Beogradit. Ndër to janë edhe të dhënat për Serbinë, shkruan gazeta. “Blic” shkruan se CIA di shumëçka për Serbinë dhe pastaj numëron disa nga ato të dhëna, duke filluar nga formimi i Mbretërisë së Serbëve, […]
CIA ka burim të dhënash për vendet të cilat çdo vit publikohen në formë almanaku “The World Factbook”, shkruan “Blic” i Beogradit. Ndër to janë edhe të dhënat për Serbinë, shkruan gazeta.
“Blic” shkruan se CIA di shumëçka për Serbinë dhe pastaj numëron disa nga ato të dhëna, duke filluar nga formimi i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve, për të arritur te roli i saj në zhbërjen e Jugosllavisë.
“Më 1991 Kroacia, Sllovenia dhe Maqedonia shpallën pavarësinë, e pastaj Bosnja më 1992. Republikat e mbetura, Serbia e Mali i Zi shpallën Republikën Federative të Jugosllavisë…”.
“Më 1998 kryengritja e shqiptarëve në Krahinën e dikurshme Autonome të Kosovës nxiti fushatën antikryengritëse që përfundoi me masakra e dëbime masive të shqiptarëve që jetonin në Kosovë”, citon kjo gazetë CIA-n, transmeton Koha.net. “Pas refuzimit të marrëveshjes ndërkombëtare nga ana e Qeverisë së Millosheviqit pasoi bombardimi i NATO-s mbi Serbinë në pranverë të vitit 1999” shkruan “Blic”.
Përmendet po ashtu se zgjedhjet e vitit 2000 rrëzuan Millosheviqin dhe sollën pushtetin demokratik. Sipas kësaj gazete, pas dy vjetësh “negociata të pasuksesshme” Kosova shpalli pavarësinë, ndërsa Serbia kërkoi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë (“Blic” nuk përmend se kjo Gjykatë e quajti ndërkombëtarisht të ligjshme shpalljen e kësaj pavarësie – plotësim i yni) dhe se janë arritur disa marrëveshje në kuadër të negociatave në Bruksel.
Përmendet po ashtu se Aleksandar Vuçiq ka promovuar qëllimin ambicioz – Serbia në BE më 2020.












