Beqaj prapë e synon ulësen e Ministrit të Financave, analistët e kundërshtojnë ashpër

Besim Beqaj, ish-Ministër i Financave, mund të rikthehet sërish në pozitën e Ministrit, nëse koalicioni PAN-AKR arrin që të formojë qeverinë në ditët e ardhshme. Por, shoqëria civile dhe ekspertët e kundërshtojnë një gjë të tillë duke theksuar se përveç skandaleve të rënda dhe përgjimeve, ai ka akumuluar superpasuri dhe biznese, brenda një kohe shumë […]
Njëri prejt kritikëve dhe eksperti Avni Zogiani, theksoi se emërimi I Beqajt për ministër për të katërtin mandat, ndërkohë që nga kjo pozitë ka krijuar pasuri marramendëse, paraqet rrezikshmëri të lartë.
“Besim Beqaj, me vendimet e tij ka ekspozuar sektorin e kompanive publike ndaj shume mundesive per procese te arbitrazhit. Kam dyshime se pasurimi marramendes i tij, nga nje njeri qe erdhi me qira kur erdhi ne Prishtine, ka lidhje pikerisht me demtimin e kompanive publike sa ishte minister i Ekonomisë”, tha Avni Zogiani.
Përafërsisht mendim të njëjtë ka edhe njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj, i cili theksoi se ish-ministri Beqaj nuk e ka vendin në Qeverinë e Kosovës.
“Emërimi në poste publike në Qeverinë Haradinaj i njerëzve të përfshirë në skandale vetëm sa do ta diskreditonte këtë qeveri. Me të tillët duhet të merren organet e drejtësisë, e jo të shpërblehen me poste e privilegje. Por, unë jam skeptik se në qeverinë e ardhshme do të jenë të pastër të gjithë të zgjedhurit. Shkaku i interesave të shumta të partive politike mund t’iu sigurohen pozita vendimmarrëse edhe atyre që nuk do të duhej të ishin aty”, tha analisti Mushkolaj.
Kohë më parë portali Insajder në serinë e XII të publikimeve të quajtur “Dosja e Shefave”, Adem Grabovci e Besim Beqaj kishin marrë kompetenca të plota nga Hashim Thaçi, që në krye të tri ndërmarrjeve publike, PTK, Infrakos dhe Traikos të vendoseshin njerëzit që përfaqësonin interesat e tyre.
Një seri përgjimesh telefonike sipas tyre të Grabovcit dhe Beqajt dëshmojnë këto plane që ishin finalizuar me emërime.
Megjithatë, Beqaj në një intervistë në RTV Dukagjini ka thënë se duhen vërtetuar përgjimet telefonike, “në mënyrë që të shihet nëse aty ka pasur shkelje të ligjit”. Ai shkon deri aty sa e quan diçka të zakonshme për një zyrtar të lartë shteti që të “ballafaqohet me këso gjëra”.
“Të qenit zyrtarë i lartë i një shteti mund të të bëjë të ballafaqohesh me këso gjëra. Janë veprime të cilat edhe ndodhin, por normalisht se diskutimet të cilat bëhen gjithmonë me agjenda për trajtimin e agjendave, gjithmonë janë me interes”, ka thënë ai.
Deputeti i PDK-së më tutje thotë se nuk ka punësuar asnjëherë, asnjë person, pa marrëdhënie ligjore.
“Gati tre mandate i kam ministër, por nuk e kam punësuar asnjë njeri pa marrëdhënie ligjore. Ministrat nuk punësojnë njerëz,por janë vetëm udhëheqës së politikave të institucioneve, janë konkurset që merren me atë punë”, rrëfen Beqaj,
Ai ka folur edhe për serinë e “Dosjes së Shefave” në të cilën bisedë, ai dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së kishin marrë si detyrë afrimin e njerëzve të afërm të partisë në ndërrmarjet publike si: PTK-ja, Infrakosi dhe Traikosi. Beqa këtë rast e cilësoi bisedë pune dhe jo private.
“Është një bisedë mes miqësh, është një bisedë e cila normalisht ka pasur ngjyrë pune por unë mendoj se asnjë veprim nuk ka qenë ndesh me ligjin. Ajo nuk ishte bisedë private, por ka qenë bisedë pune”, deklaroi Beqaj./Gazeta Blic/












