Zafir Berisha flet për qëndrimet e AKR-së ndaj PAN-it, thotë se po përafrohen

Gjatë javës së ardhshme pritet të mbahet seanca e shtatë me radhë konstituive, e cila ka mbetur peng qysh nga data 3 gusht. Në këtë seancë pikë e vetme e ditës është zgjedhja e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve. Ndonëse nuk ka mbetur shumë kohë, partitë politike ende nuk kanë marrë vendim se në […]
Gjatë javës së ardhshme pritet të mbahet seanca e shtatë me radhë konstituive, e cila ka mbetur peng qysh nga data 3 gusht.
Në këtë seancë pikë e vetme e ditës është zgjedhja e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve.
Ndonëse nuk ka mbetur shumë kohë, partitë politike ende nuk kanë marrë vendim se në cilën datë të mbahet seanca, edhe pse në media është diskutuar data 7 shtator.
Indeksonline ka kontaktuar deputetin e NISMA-s, Zafir Berisha, për ta mësuar nëse është vendosur për datën e saktë, por ai ka thënë se ende po merren me caktimin e datës, dhe si e mundur do të jetë 6 ose 7 shtatori.
Ndërkaq, i pyetur se deri ku kanë shkuar bisedimet me AKR-në, Berisha u shpreh se për këtë është i autorizuar Ramush Haradinaj të flasë, por ai nuk hezitoi të tregojë se qëndrimet mes PAN dhe AKR po përafrohen çdo herë e më shumë dhe se javën që vjen kjo punë do të kryhet.
“Nuk e di, për këtë është i autorizuar Ramush Haradinaj, por e di që në momentin që bahen numrat, nuk është çudi që edhe të dielën e mbajmë seancën. Qëndrimet me AKR-në janë duke u përafru çdo herë e më tepër por nuk jam i autorizuar me fol deri në cilën shkallë kanë shkuar, por e di që javën tjetër kjo punë do të kryhet”, tha Berisha.
Gjatë pyetjes se sa i beson përkrahjes së AKR-së, Berisha tha se përmes deklaratave të tyre po u japin shpresë PAN-it.
Por, nëse lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli vendosë të mos bashkëpunojë me PAN-in, Berisha tha se atëherë duhet të përgatiten për zgjedhje, pasi sipas tij, kalohet çdo limit i talljes me qytetarët e Kosovës.
“Duhet me na përkrahë sepse deklaratat i kanë të tilla, por nëse nuk ndodhë kjo javën tjetër, duhet të përgatitemi për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Kohë ka pakufi për formimin e institucioneve por nuk duhet ta teprojmë, se nëse nuk bëhen javën tjetër institucionet kalohet çdo limit i talljes me qytetar dhe duhet ta mendojmë 22 tetorin për dy parë zgjedhje”, shtoi tutje Berisha.












