Rama flet për zjarret: Ata që vënë kujën duhet të japin llogari

Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen dhe ka folur për situatën e paprecendet me zjarret që kanë ngërthyer gjithë vendin duke rrezikuar edhe banesa. Në fakt reagimi i Ramës vjen pas kritikave të shumta në rrjetet sociale të qytetarëve. Ai thotë se po punohet maksimalisht edhe pse kapacitet janë të vogla. “Faktet flasin vetë qoftë […]
Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen dhe ka folur për situatën e paprecendet me zjarret që kanë ngërthyer gjithë vendin duke rrezikuar edhe banesa. Në fakt reagimi i Ramës vjen pas kritikave të shumta në rrjetet sociale të qytetarëve. Ai thotë se po punohet maksimalisht edhe pse kapacitet janë të vogla.
“Faktet flasin vetë qoftë për punën kolosale që është bërë në kushte tejet sfiduese, qoftë për kujet e krismat digjitale të atyre që duhet të japin llogari e jo të kërkojnë llogari”, shkruan Rama pa specifikuar se kush janë ATA që duhet të japin llogari.
Edhe pse Rama nuk e specifikon, kuptohet se me “ATA” që duhet të japin llogari, nënkupton drejtuesit e LSI-së që e kanë kritikuar se nuk është gjendur në krye të detyrës në këto ditë emergjente për vendin.
Statusi i plotë i Kryeministrit në facebook dhe fotot e shpërndara prej tij
SHTETI NË KRYE TË DETYRËS
Vijojnë aksionet për vënien nën kontroll dhe shuarjen e vatrave të zjarreve në këto ditë temperaturash ekstreme, të cilat kanë ndikuar rëndshëm në një situatë të paprecedentë zjarresh në mbarë Mesdheun. Për përballimin e situatës janë angazhuar deri më sot 8261 vajza e djem nga Emergjencat Civile, Forcat Zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, stafet e bashkive si edhe vullnetarë, të mbështetur me 973 mjete tokësore dhe 5 mjete ajrore (2 helikopterë dhe 3 avionë). Situata mbetet e vështirë edhe për ditët në vijim që vala e të nxehtit të jashtëzakonshëm do të jetë prezente në territorin tonë.
S’ka dyshim se kapacitetet tona mbeten të ulëta përballë këtij kërcënimi kaq serioz dhe në katër vitet e ardhshme do të përpiqemi seriozisht për rritjen e këtyre kapaciteteve.
Sidoqoftë, faktet flasin vetë qoftë për punën kolosale që është bërë në kushte tejet sfiduese, qoftë për kujet e krismat digjitale të atyre që duhet të japin llogari e jo të kërkojnë llogari.

















