Prokuroria paralajmëron 46 mijë veteranët: Dikujt do t’i heqet statusi

Janë bërë një vit që kur Prokuroria ka filluar hetimet për listat e “fryra” të veteranëve UÇK-së. Numrin prej 46 mijë veteranë të publikuar nga Qeveria “ndezi” debat në opinionin e gjerë publik brenda dhe jashtë Kosovës për keqpërdorime të listave, atëherë, Prokuroria e Shtetit iu përvesh punës-hetimit të këtyre listave. Mirëpo, numri prej 46 […]
Janë bërë një vit që kur Prokuroria ka filluar hetimet për listat e “fryra” të veteranëve UÇK-së.
Numrin prej 46 mijë veteranë të publikuar nga Qeveria “ndezi” debat në opinionin e gjerë publik brenda dhe jashtë Kosovës për keqpërdorime të listave, atëherë, Prokuroria e Shtetit iu përvesh punës-hetimit të këtyre listave.
Mirëpo, numri prej 46 mijë veteranëve do të ndryshoj pasi Prokuroria e Shtetit në këtë fazë të hetimeve, ka arritur të sigurojë prova dhe dëshmi të cilat pritet të zvogëlojnë këtë numër të veteranëve.
Këto informacione për Indeksonline i ka bërë të ditura zyra për informim në Prokurorinë e Shtetit.
“Mund t’ia ndryshojnë statusin e dikujt, ashtu që numri i personave mund të ndryshoj”, thuhet në përgjigjen e tyre për Indeksonline.
“Informacionet dhe dëshmitë e siguruara deri me tani, e po ashtu edhe provat tjera të cilat pritet të mblidhen në të ardhmen mund t’ia ndryshojnë statusin e dikujt, ashtu që numri i personave edhe mund të ndryshojë, kjo edhe për faktin se Prokurori i Shtetit është i detyruar ta respektoj nenin 7 te Kodit të Procedurës Penale (detyrimi i përgjithshëm për vërtetimin e plotë dhe të saktë të fakteve)”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Sa i përket asaj se kur do të përfundojnë hetimet për persona të dyshuar që e kanë fituar edhe titullin veteran, ende nuk dihet, pasi sipas prokurorisë rasti është mjaft kompleks.
“Duke pas parasysh se rasti është mjafte kompleks dhe voluminoz, Prokuroria se bashku me hetuesit në vazhdimësi janë duke mbledhur prova të ndryshme, nga burime të ndryshme si dhe kanë intervistuar një numër të konsiderueshëm të dëshmitarëve. Po ashtu, kjo dinamikë e mbledhjes dhe sigurimit të provave do të vazhdoi deri në sigurimin e të gjitha dëshmive të nevojshme me qëllim të adresimit të përgjegjësi lidhur me këto dyshime”, thuhet më tutje në përgjigjen e Prokurorisë.
Prokuroria ka thënë se janë disa faktorë të cilët edhe përcaktojnë aspektin kohor të zgjatjes së hetimeve.
“Kompleksiteti i rastit, dinamika e punëve në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, prioritetet e përcaktuara lidhur me ketë rast e po ashtu resurset dhe kapacitetet njerëzore të cilat po merren me rastin janë përcaktuese në hetimin e suksesshëm të këtij rasti edhe në aspekt kohor”, shprehet me tutje Prokuroria në përgjigjen për Indeksonline.
Prokuroria është shprehur se masat ndaj personave që kanë abuzuar me listat e veteranëve do të jenë konform ligjeve.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, vazhdimisht i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të kenë kujdes duke mos e rrezikuar buxhetin e Kosovës.
Ky institucion pati thënë se në buxhet janë paraparë 60 milionë euro për këtë kategori, derisa shpenzimet mund të shkojnë deri në 100 milionë.
FMN ka thënë se numri i madh i veteranëve të UÇK-së ka tejkaluar edhe paratë e planifikuara në buxhet për afro 40 milionë euro.












