Kallashnikovët shqiptarë drejt Anglisë për terroristët ose krimin e organizuar

Sajmir Cullhaj ka refuzuar të tregojë se në duart e kujt do të binin tre kallashnikovët që ai kishte nisur me DHL nga Tirana drejt Londrës. Armët u zbuluan nga nga stafi i sigurisë në seksionin e mallrave në Aeroportin e Rinasit pak çaste para se të përfundonin në avion dhe vetë ai u gjet […]
Sajmir Cullhaj ka refuzuar të tregojë se në duart e kujt do të binin tre kallashnikovët që ai kishte nisur me DHL nga Tirana drejt Londrës.
Armët u zbuluan nga nga stafi i sigurisë në seksionin e mallrave në Aeroportin e Rinasit pak çaste para se të përfundonin në avion dhe vetë ai u gjet nga gjurmët e gishtave që kishte lënë në pako.
Por 32 –vjeçari nga Shijaku ka preferuar të mbajë pozicion mohues. Nuk pranon të jetë personi që i ka organizuar trafikun. Kamerat e sigurisë së pikës së DHL –së në Durrës, nga ku u nisën pakot të premten, e kanë fiksuar, por ai thotë se vetëm i nisur pakot për llogari të dikujt tjetër. Rrjedhimisht, nuk ka si të flasë për pritësit e armëve, shkruan Lapsi.al.
Një tjetër i implikuar është shpallur në kërkim. Antiterrrori në Shqipëri është vënë në kërkim të N.F, nga qyteti i Durrësit.
Policia britanike dyshon se tre kallashnikovët shqiptarë do të përfundonin në duart e celulave terroriste ose në bandat e krimit të organizuar.
Vetëm muajin e shkuar policia gjeti 79 armë të destinuara për në Angli, të fshehura në pako me pajisje motorike për makinat.
Në Tiranë, antiterrori ka shtuar masat nisur nga sulmet terroriste në Londër dhe Barcelonë.Autoritetet nuk e kanë bërë publike adresën e personit që do t’i priste armët në Londër, por kanë vënë në alarm partnerët britanikë.
Në Britani, autoritetet dyshojnë se kallashnikovët mund të jenë porositur nga anëtarë celulash terroriste që kanë kontakte me bandat shqiptare. Përdorimi i tyre në sulme terroriste është pista e parë ku po hetohet, nisur edhe nga fakti se Londra është në shenjestër të terroristëve të ISIS.
Por nuk përjashtohet mundësia që armët të mbeteshin në duart e kriminelëve shqiptarë që veprojnë në Angli, ku zotërojnë trafikun e drogës.












