Edhe Avdullah Hoti vajton sulmet ndaj Mustafës dhe kërkon llogari nga Vetëvendosje

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në konferencën për media ka theksuar se me shtyrjen e sotme të seancës vendi po hy në krizë të thellë institucionale. Hoti ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë më në seancë tjetër dhe se sipas tij është për keqardhje një bllokim i tërë […]
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në konferencën për media ka theksuar se me shtyrjen e sotme të seancës vendi po hy në krizë të thellë institucionale.
Hoti ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë më në seancë tjetër dhe se sipas tij është për keqardhje një bllokim i tërë politik që shpresat i ka të varura në pazare politike dhe bindje e shantazhe.
“Kjo është fatkeqësi për këto forca politike dhe demokracinë. Shteti nuk bëhet me shantazhe dhe institucionet nuk themelohen përmes këtyre formave. Nëse nuk ekzistojnë marrëveshje të tilla . Rrugë tjetër për themelimin e institucioneve nuk ka. Seanca si kjo e sotme nuk duhet të përsëritet. Është për keqardhje që foltorja u shndërrua në arenë përplasje në mes Albin Kurtit dhe Kadri Veselit. Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për fjalore të tilla. PAN dhe VV po shfrytëzojnë prapë Kuvendin për motive të ulëta politike dhe e dinë mirë se VV në mandatin e kaluar ka shkuar në metoda shumë të mëdha për të ardhur në pushtet. Asnjë qeveri që nga 99-të nuk ka qenë më e sulmuar se ajo e Qeverisë Mustafa, sepse asnjë nuk ka punuar më shumë se qeveria e fundit”, ka thënë Hoti,shkruan Indeksonline.
Gjithashtu Hoti ka shtuar se VV kishte tentuar me çfarëdo mjeti në çdo mënyrë të vijë në pushtet.
“Sot në Kuvendin e Kosovës kemi dëgjuar vetëm akuzime nga VV dhe PAN. Rruga e vetme bashkëpunimit me ne është deklarimi për sulmet brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës. Si të bashkëpunohet me njerëz që kanë dorëzuar mbi 70 dosje në Prokurori.PDK dhe Kadri Veseli sot vazhduan me avazin e vjetër duke u thirrur në luftën e shenjtë të UÇK-së. Brenda Kuvendit, Veseli nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar sulmet në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa. Është përgjegjës për futjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Ai nuk ka menaxhuar si duhet Kuvendin”,ka shtuar Hoti.












