Partitë politike presin ndryshime dhe synojnë fitore në zgjedhjet lokale

Kur kanë mbetur edhe 2 muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, partitë politike vazhdojnë t’i propozojnë kandidaturat e tyre me të cilat do të dalin me ofertë për qytetarët më 22 tetor. Edhe pritshmëritë e këtyre partive për këto zgjedhje duket se janë të mëdha. Partitë politike kanë synim kryesor marrjen e sa më […]
Partitë politike kanë synim kryesor marrjen e sa më shumë qyteteve nën qeverisjen e tyre.
Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka bërë publik emrat e kandidatëve për kryetar në disa komuna, ku për komunën e Prishtinës ka nominuar edhe për një mandat katër vjeçar kryetarin aktual Shpend Ahmeti. Ndërsa, për komunën e Gjilanit kandidat nga kjo parti është Sami Kurteshi, për atë të Lipjanit Selatin Retkoceri, për komunën e Istogut Agron Avdijaj, për komunën e Therandës Leonard Shala, për komunën e Vitisë Salih Salihu, Bashkim Nurboja për Pejën, Sali Zyba për Therandën, Shemsi Elezi për Drenasin, Mytaher Haskuka për komunën e Prizrenit, ndërsa për komunën e Podujevës do të jetë Ajet Poterën.
Ndërkohë që për komunat e tjera sipas anëtares së kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Balaj, pritet të dalin ditëve në vijim. Për KosovaPress, ajo ka bërë të ditur se në shumicën dërrmuese të komunave kanë përfunduar procesin e përzgjedhjes së asamblistëve dhe të kandidatëve për kryetarë të komunave.
Ajo shprehet e bindur se në shumë komuna do të dalin fitues pa balotazh, ndërsa në të tjerat komuna do të fitojnë përmes balotazhit.
Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja parti e cila ende nuk ka dal me prezantimin e ndonjë kandidati për komunat e Kosovës, por që anëtarja e kryesisë së kësaj partie Blerta Deliu, ka thënë se do t’i përmbahen rregullave ligjore për të dal me kandidatura dhe lista.
Ajo ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës edhe këtë herë do të garojë me platformën më të mirë për fituar komunat ku janë në opozitë.
Kjo parti nuk ka bërë publik emrin e kandidatit për kryeqytetin, ku deri para katër vite kryeqyteti ka qenë bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndër emrat që janë përfolur për kandidat potencial për kryeqytetin janë Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, por edhe ish kryetari i Prishtinës Ismet Beqiri, derisa i mbetet të publikojë edhe kandidatin për Prizren.
Kurse, Nisma për Kosovën deri më tani ka bërë publik emrin e kandidatit për qytetin e Prizrenit, e që është Zafir Berisha dhe atë të Gjakovës, Fazli Hoxhën.
Anëtarja e kryesisë së kësaj partie Valdete Bajrami, për KosovaPress ka bërë të ditur se janë afër finalizimit të listave për kryetar të komunave dhe për asamblist.
Nisma për Kosovën merr pjesë për herë të parë si parti në zgjedhjet lokale, por që sipas Bajramit kjo gjë është e mirë për qytetarët e Kosovës, pasi që po iu ofrohet një frymë e re.
Ajo tha se shumica e partive po kandidojnë me kandidatët e njëjtë dhe se qytetarët janë lodhur nga ata kryetarë, kurse, Nisma është alternativa e cila do të duhej të shihej si shpëtim për qytetarët në nivel lokal.
E kjo parti, synon që të ketë nënqeverise pa balotazh Drenasin, Prizrenin, Lipjanin, Kaçanikun, Shtimen, por pa përjashtuar edhe qytetet e tjera të Kosovës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ditë më parë ka bërë publik emrin e kandidatit për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, për komunën e Obiliqit, kryetari aktual Xhafer Gashi, kurse për kryetar të komunës së Deçanit është përmendur emri i Daut Haradinaj.
E Aleanca Kosova e Re, muaj më parë ka bërë publik emrin e kandidatit për kryetar të komunës së Ferizajt, e ku pritet të jetë tashmë deputeti i zgjedhur Labinot Tahiri. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Vesel Makolli, ka thënë se janë afër përfundimit të listës së kandidatëve për kryetar dhe për asamblistë dhe se në afatet ligjore do t’i kenë të përfunduar.
Synim sipas Makollit, AKR në këto zgjedhje e ka shtimin e numrit të komunave ku do të qeverisin.
Zgjedhjet lokale për kryetar komunash dhe për asamblist do të mbahen me 22 tetor të këtij viti./KosovaPress/












