Dje ndërroi jetë, Intervista e rrallë e motrës së Berishës: Si e rrita Saliun, kur dëgjoj që e shajnë…

Dje u nda ndarë nga jeta motra e vetme e Sali Berishës. Hajrie Osmanin e përshkruanin si një grua të rrallë. Sali Berisha gjithmonë ka pasur një vlerësimtë madh për të motrën, duke e quajtur “mbretëreshë”. Kjo konfirmohet edhe në një ndër intervistat e rralla që Hajrie Osmani-Berisha ka dhënë në vitin 2010 për gazetaren […]
Dje u nda ndarë nga jeta motra e vetme e Sali Berishës. Hajrie Osmanin e përshkruanin si një grua të rrallë. Sali Berisha gjithmonë ka pasur një vlerësimtë madh për të motrën, duke e quajtur “mbretëreshë”.
Kjo konfirmohet edhe në një ndër intervistat e rralla që Hajrie Osmani-Berisha ka dhënë në vitin 2010 për gazetaren Valentina Ramadani. Ajo thoshte “unë jam krenare që jam motra e Sali Berishës, qoftë Kryeministër, kryetar i PD-së, President, apo një qytetar i thjeshtë. Për mua ai është dhe mbetet vëllai më i mirë në botë, sepse është i tillë. Një njeri i dashur, i respektuar, që përpiqet të të ndihmojë, por mbi të gjitha ai është i drejtë. Ndaj siç më ka ndodhur që të dëgjoj njerëz që e shajnë, më kanë takuar edhe njerëz që e duan”.
“American Eye” sjell më poshtë disa pasazhe të intervistës të Hajrie Osmanin dhënë për gazetaren Valentina Ramadani në vitin 2010 në gazetën “Standard”.
Jo rrallë z. Berisha nuk ka mundur të fshehë debulesën për motrën e vetme, qoftë dhe në mënyrë publike, duke thënë se ju e keni mbajtur shumë afër atë kur ishte i vogël. Kjo besoj ju sjell në mend kujtimet e asaj kohe?
Saliu është 5 vjet më i vogël se unë dhe si i tillë, kujdesesha shumë për të. Përherë më ka thirrur dadë, edhe sot më thërret kështu. Kur isha 7 vjeçe dhe ai 2 vjeç, mbaj mend që e përkundja shumë në djep, edhe për t’i ardhur në ndihmë nënës sime e cila lodhej shumë, qoftë me fëmijët, qoftë me punët e shtëpisë. Pastaj kur Saliu filloi të rritej pak nga pak e merrja (kalistraf), hopa në shpinë pasi e merrte gjumi pranë oxhakut, unë e çoja lart në dhomën e gjumit, në krevat. Kishte shumëqejf kur e mbaja në shpinë. Dhe e mbaja aq shumë, saqë njëherë kur po punoja punë me grep, kisha harruar krrabzat (grepat) në qafë dhe teksa e kisha hipur në shpinë Saliun e vogël, desh i verbova sytë. Nga frika se mos e bëra një gjë të tillë, bërtita me të madhe sa erdhi nëna dhe e trembur pyeti çfarë ka ndodhur. Por u gëzuam të dyja kur pamë që vëllai i vogël kishte shpëtuar nga sytë për mrekulli.
Si shkonte me mësimet në shkollë?
Jashtëzakonisht shumë mirë. Bashkë me Saliun mësonim në shkollën e Tropojës së vjetër. E kishim shumë afër nga Viçidoli. Shkonim bashkë dhe ktheheshim bashkë. Merresha me detyrat e tij, por nuk më lodhte kurrë, sepse kishte vullnet për të mësuar.
Çfarë të befasonte tek ai në atë moshë?
Nuk kisha nevojë t’i thosha hajde dhe të bëjmë detyrat apo të lexonte. Në të shumtën e kohës i merrte ai i pari librat dhe më thërriste mua, ndërsa bëja edhe ndonjë punë në shtëpi. Pastaj kur u rrit, ndryshoi zakon. Nëna kulloste bagëtinë tutje nga fshati dhe Saliu sapo vinte nga shkolla, nuk e hiqte çantën e librave, por vinte në shtëpi kërkonte bukë dhe nuk hante brenda. Ai e merrte bukën me vete, e hante rrugës, merrte çantën e shkollës mbi shpinë dhe ikte me vrap tek nëna që ta ndihmonte për të ruajtur bagëtinë. Njëkohësisht mësonte dhe librat.
Më thoni diçka që e bënte më të dallueshëm nga bashkëmoshatarët e tij?
Ishte shumë kureshtar dhe kishte një vullnet të çuditshëm për gjërat. Ndonëse kishte pikë të dobët nënën, Saliu rrinte shumë kohë me babën, dhe atë e “bombardonte” me pyetje. E pyeste për gjithçka dhe baba kishte durim të paparë me të. I tregonte dhe i mësonte gjithçka. Im atë ishte një burrë i zgjuar, lexonte shumë, mbante libra dhe romane nëpër arka druri në shtëpi. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për Saliun që të ecte përpara. Ata të dy ishin shumë të lidhur bashkë. Leximi u përcoll dashur pa dashur edhe tek Saliu i vogël. Ka pasur shumë gojë, domethënë orator dhe mbi të gjitha i etur për të mësuar sa më shumë gjëra që në moshë të njomë. Ka qenë dhe i papërtueshëm. Çfarëdo gjëje që t’i thoshim për ta bërë, ai nuk hezitonte, e bënte.
Çfarë i pëlqente më shumë, cilën nga lëndët e shkollës e hapte me më shumë dëshirë?
Kishte qejf të lexonte dhe i pëlqente leximi. Por edhe vjershat. Mbante mend shumë. Kishte dhe ka kujtesë shumë të fortë. Më kujtohet një ditë kur erdhi nga Boka (vend kullote për bagëtitë) me nënën, ndërsa po hiqte çantën nga shpina, filloi të recitonte vjershën e Oso Kukës. Dhe recitimi i tij zgjati, pasi vjersha ishte shumë e gjatë. E kishte mësuar në klasë dhe pasdite e përsëriste në shtëpi. E recitonte nëpër oborr, hynte dhe dilte atë ditë me “Oso Kukën” në gojë. Kishte një kujtesë që na befasonte të gjithëve. E kishte mësuar përmendësh teksa ruante bagëtinë. Pastaj ne kishim një gjë, detyroheshim të mbaronim detyrat shpejt dhe mësimet, pasi në darkë errësohej dhe në atë kohë nuk kishte drita. Shikonim vetëm me kandil.
Ka qenë fëmijë i rrëmbyer, nevrik?
Jo aspak. Ishte shumë i shtruar dhe merrte vesh të mëdhenjtë çfarë i thoshin. Kureshtar për të mësuar çdo gjë. E vetmja gjë që e bënte me nerva, nëse mund të thuhet kështu, ishte kur dëgjonte për ndonjë hajdut që vidhte. I “urrente” në njëfarë mënyre ata që preknin gjënë e tjetrit.
Më tregoni një rast…
Po. Kur Saliu ishte student, një shoku i tij kishte vjedhur në konvikt dhe ishte bërë një problem i madh, pasi drejtuesit e fakultetit donin që t’i jepnin një “ndëshkim” pasi kishte vjedhur. Ndaj mblodhën disa studentë të konviktit për të marrë mendimin e tyre ndaj shfaqjes së ulët të studentit. Mes tyre ishte edhe Saliu dhe ai nuk e ka mbrojtur, sepse nuk i duronte dot hajdutët. Dhe kur erdhi për pushimet e verës, Saliu na e tregoi si rast, pasi i kishte bërë shumë përshtypje sjellja e studentit dhe ndonëse kishte dashur që ai të mos ndëshkohej, nuk e kishte mbrojtur. Hajdutëria ishte ajo që e nervozonte më tepër Saliun.












