Analistët: Po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të gjashtën herë me radhë nuk arritën që të zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe pesë nënkryetarët. Kjo për shkak se PAN, nuk i ka numrat. Atyre u duhet edhe një votë për ta zgjedhur të parin e PDK-së, Kadri Veselin, kryetar të Kuvendit të Kosovës edhe për një mandat, […]
Me sharje e akuza ka kaluar seanca e djeshme e Kuvendit të Kosovës, ku debati kryesor u zhvillua mes kandidatit për kryeministër nga radhët e VV’së, Albin Kurti e kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli. Por përveç debatit, as në seancën e djeshme nuk u panë rezultate konkrete drejt konstituimit të Kuvendit, edhe tre muaj pas zgjedhjeve.
Disa nga analistët në vend, thonë se fajin kryesor për tërë këtë amulli e ka PAN’i, ndërkohë që zhvillimet e fundit i cilësojnë si ‘shenja’ se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
Sallova: Dalja nga kjo situatë po na çon kah zgjedhjet
Zvarritja e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, përfundimisht e ka dëshmuar dje se PAN, nuk i ka votat për zgjedhjen e Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit. E në këtë situatë jemi para dy alternativash. Kështu ka thënë për Periskopin, analisti Donik Sallova.
“Zhvillimet që pamë dje në Kuvendin e Kosovës konfirmuan përfundimisht që koalicioni PAN si subjekti i parë i dalë nga zgjedhjet nuk i ka votat për zgjedhjen e Kadri Veselit per kryetar të Kuvendit. Pra shkaktari i bllokades është i qartë dhe lidhet me pamundësine e Veselit për t’u bërë kryetar i Kuvendit. Në këtë situatë jemi përballë dy alternativash logjike: ndërrimi i kandidatit nga PAN dhe caktimi i një personi tjetër që është më i votueshëm se Kadri Veseli dhe alternativa e dytë heqja e të drejtës së PAN-it për prolongimin e pafundme të mospropozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit përmes një vendimi përplotësues të Gjykatës Kushtetuese mbi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë Sallova.
E nga tërë kjo situatë, Sallova thotë se jemi duke shkuar në zgjedhje të reja.
“Me prolongim, pra me mospropozim të kandidatit për kryetar të Kuvendit PAN po synon të ushtroj presion mbi AKR që ajo t’i bashkangjitet në koalicion qeveritar, në mënyrë që të keni 2-3 vota me shumë si qeveri. Përndryshe gjasat janë që nëse dështonë PAN, atëherë me ndihmen e presidentit t’i shpallin zgjedhjet e reja fiks në datën kur do të mbahen zgjedhjet lokale”, ka theksuar Sallova.
Por sipas tij, krizë nuk ka vetem PAN.
“Krize po kemi edhe në raportet VV dhe LAA, prandaj dalje prej kësaj situate si duket po na çon kah zgjedhjet”, tha ai.
Murati: Barrën e inateve të klasës politike ta bartin qytetarët
Zvarritja e procesit të konsituimit të Kuvendit, sipas Artan Muratit, hulumtues i lartë në KDI,po ndodh pasi që PAN, ende nuk ka nominuar zyrtarisht asnjë kandidat.
“PAN është duke e zvarritur procesin e konstituimit te Kuvendit, pasiqë ende nuk ka nominuar zyrtarisht asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit. E drejta për propozim të Kryekuvendarit është ekskluzive e PAN-it, por ky duhet të shihet edhe si obligim për të konsumuar këtë të drejtë, gjë që PAN nuk është duke e bërë. PAN fillimisht duhet të nominoj zyrtarisht një kandidat për kryetar dhe deputetët duhet t’i japin një verdikt”, ka deklaruar për Periskopin, Murati.
Ndërkohë zgjidhje, sipas tij mund të sjellë vetëm një konsensus i gjerë partiak.
“ Presidenti nuk duhet të rrijë duarkryq në këtë situatë por duhet të tentoj t’i ulë në diskutim subjektet politike”, tha ai.
Edhe pse ende nuk është vendosur për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, Murati nuk e sheh si zgjidhje, shkuarjen në zgjedhje. Për tërë këto ndodhi, ai thotë se është absurde që barrën po e bartin qytetarët.
“Ndonëse mund të ketë tendencë nga subjektet politike për zgjedhje të reja, një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte. Kosova sapo doli nga një proces zgjedhor i pakontestuar nga asnjë subjekt politik dhe shumë i kushtueshëm. Është absurde që barrën e inateve të klasës politike ta bartin qytetarët”, shtoi ai në fund./Periskopi












