5 dështimet e PAN-it

Kanë kaluar dy muaj e një javë që prej përfundimit të zgjedhjeve dhe jo vetëm se nuk janë formuar institucionet qeverisëse, por as hapat e parë nuk janë bërë në këtë drejtim. Data 11 qershor do të ishte vendimtare që të PAN-i të fillonte mendimet se si të dilte prej një situate ku kishte humbur […]
Derisa ishin të zënë me përpilimin e kësaj strategjie, dhe zbutjen e pakënaqësive për brenda partisë për humbjen e zgjedhjeve, PDK filloi me zvarritjen e procesit të themelimit të institucioneve të reja qeverisëse që do të dilnin prej legjislaturës së katërt. Kështu, vrulli i entuziazmit që kishin votuar për ndryshimin do të ndalej.
Zvarritja e këtij procesi filloi që prej shpalljes së rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, të cilat Komisioni Qendror Zgjedhor nuk i shpalli deri më 8 korrik 2017, gati një muaj pas përfundimit të zgjedhjeve.
Pas kësaj, vazhdoi zvarritja tjetër institucionale. Shumëkush i dizajnonte se si do të dukeshin institucionet, por seanca konstitutive nuk po thirrej. Numrat u bë fjala më e lakuar e diskutimit publik në Kosovë. Që ishte mungesa e numrave për kryeparlamentar, arsyeja se pse nuk po thirrej seanca, u deshifrua shpejt nga opinioni. Thirrja e seancës u shty deri me 24 korrik 2017, kur Presidenti i Republikës së Kosovës vendosi që seanca konstituive e Kuvendit të mbahet me 3 gusht 2017.
Që prej atëherë, janë mbajtur 5 seanca konstitutive në të cilat koalicioni PAN dështoi në secilën prej tyre.
Kuvendi është mbledhë me 3, 4, 10, 14 dhe 16 gusht dhe ende nuk ka ndodhur një proces shumë i thjesht: propozimi për kryeparlamentar.
Përkundër ditëve të shumta që po kalojnë, humbjeve që po pëson Kosova ndërkohë dhe përkundër 5 mundësive zyrtare që pati PAN-i, nuk arriti ta propozojë kandidatin për postin e Kryeparlamentarit të cilin e pretendojnë. Por as pas këtyre, në prononcimet publike, asnjë pjesëtar i PAN-it nuk mundi të argumentojë se cila është arsyeja që PAN-i po e çon vendin në krizë. Të gjitha prononcimet e tyre me sajesa e justifikimi qenë aq të pabesueshme sidomos që këto ndodhnin në të njëjtën kohë kur publikoheshin lajme që PAN-i po mundohet të kontrabandojë deputetë individualisht për sigurimin e votave të cilat u mungojnë.
Asgjë e re nuk pritet as në seancën e ardhshme që ata vetë kërkuan në takimin e fundit konsultativ.












