Thaçi akuzohet për pazare me numrat

.
Derisa koalicioni PAN vazhdon të deklarojë se i ka votat e sigurta për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit, partia e dytë e dalë nga këto zgjedhje, Vetëvendosje, thotë se sikur t’i kishin këto vota nuk do të prisnin edhe 9 ditë të tjera për seancën konstituive.
Glauk Konjufca, i cili e ka quajtur presidentin Thaçi si president të PAN-it, ka thënë se këto ditë do t’i shërbejnë Ramush Haradinajt që t’i përfundojë pazaret me blerjen e deputetëve.
Ai ka thënë se Vetëvendosje, me koalicionin LDK, AKR, Alternativa dhe minoritetet joserbe, i ka mbi 71 vota, prandaj, sipas tij, Hashim Thaçi do të duhej që pas dështimit të PAN-it t’ia jepte të drejtën Vetëvendosjes, në të kundërtën tha se presidenti do të dërgohet në Kushtetuese e do të përfundojë i shkarkuar.
Ndërkohë, nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu, që është në koalicion me LDK-në, ka rikonfirmuar qëndrimin kundër për PAN-in.
Artan Murati nga KDI-ja, thotë se vetëm në seancën e 3 gushtit do të dihet se kush i ka votat e kush jo.
Sipas tij, nëse Ramush Haradinaj shfaqet me shumë siguri se i ka numrat, atëherë po ato vota do të duhej t’i kishte edhe Kadri Veseli.
KTV-ja ka provuar të marrë qëndrim edhe nga LDK-ja, por asnjë nga zyrtarët e këtij subjekti politik nuk është përgjigjur.












