Sqarohet nëse mungesa e ndriçimit ishte shkak i aksidentit tragjik në kryeqytet

Dëshmitarët e aksidentit të rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit e që la katër të vdekur e një të lënduar rëndë kanë ngritur dyshime se shkaktar i këtij aksidenti mund të ketë qenë mungesa e ndriçimit. Se nuk ka pasur ndriçim në momentin kur ka ndodhur ky aksident tragjik e ka thënë […]
Se nuk ka pasur ndriçim në momentin kur ka ndodhur ky aksident tragjik e ka thënë edhe Policia.
Por Burim Krasniqi, Drejtor për siguri në komunikacion nga Ministria e Infrastrukturës, ka thënë se mungesa e ndriçimit nuk mund të ketë qenë shkaktari i këtij aksidenti.
“Konfirmimi se a ka punuar ose jo ndriçimi, nuk mund ta kontetsojë Policinë që ka qenë në vend të ngjarjes por ajo që dua të potencojë është fakti se shpejtësia e lejuar në segmentin rrugor para se të afrohesh tek rrethrrotullimi është 50 km/h derisa 150 m para rrethrrotullimit ekziston shenjë sinjalizuese që po i afrohesh rrethrrotullimit dhe shpejtësia e lejuar është 60 km/h e më pas në rrethrrotullim prapë ka sinjalizim që të paralajmëron se po futesh në rrethrrotullim”.
“Nëse e shohim në aspektin e informimit, ka informata të mjaftueshme për secilin pjesëmarrës në komunikacion, edhe në rrethrrotullim”.
“Automjetet kanë ndriçimin e vet, që nuk është domethenëse ndriçimi i rrethrrotullimit, nuk është shkaktar i aksidentit”.
“Është mungesë e qasjes së drejtë të pjesëmarrësve ne komunikacion, nuk është ndriçimi faktor, është mosrespektim dhe përgjegjësi jo e mjaftueshme e pjesëmarrësve në komunikacion”.
Sipas Krasniqit që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës shkaktar i këtij aksidenti mund të ketë qenë vetëm tejkalimi i shpejtësisë.
“Nëse shohim mbrojtësen metalike si është shkëputur e kupton se me shpejtësi 40 km në orë nuk mund të shkëputet, shkëputja ka ndodhur me një shpejtësi shumë më të madhe”.
“Kur lëviz në atë segment me shpejtësi 50 km/h dhe futesh në rrethqarkullim me 40 k/h nuk ndodh një aksident i tillë ose ndodh aksident me dëme të vogla materiale”.
Ai ka bërë madje edhe apel tek mërgimtarët që të kenë kujdes të shtuar në komunikacion.
“Unë bëj apel për mërgimtarët që mirë se vinë por duhet të kenë kujdes në sjelljen në trafikun rrugor sepse nuk është tokë pa kujdestar, mirësjellja e policisë ë raport me mërgimtarët nuk duhet kuptuar se duhet të sillemi çuditshëm”.












