Lufta në Irak: Gjykata angleze refuzon hetimin e Tony Blair

Gjykata e Lartë britanike ka bllokuar përpjekjen për të hetuar privatisht ish-kryeministrin Tony Blair mbi luftën e Irakut. Ish-kreu ekzekutiv britanik ishte akuzuar nga ish-gjenerali irakian Abdul Wahed Shannan Al Rabbat, për kryerjen e “Krimit të agresorit” duke pushtuar Irakun në vitin 2003. Por pavarësisht akuzës, një krim i tillë nuk ekziston në Angli apo […]
Gjykata e Lartë britanike ka bllokuar përpjekjen për të hetuar privatisht ish-kryeministrin Tony Blair mbi luftën e Irakut. Ish-kreu ekzekutiv britanik ishte akuzuar nga ish-gjenerali irakian Abdul Wahed Shannan Al Rabbat, për kryerjen e “Krimit të agresorit” duke pushtuar Irakun në vitin 2003.
Por pavarësisht akuzës, një krim i tillë nuk ekziston në Angli apo Uells, e si pasojë dhe gjykata vendosi se nuk ka asnjë perspektivë që kjo çështje të vijojë më tej me sukses.
BBC shkruan se gjenerali kishte kërkuar hetimin e Blairit, ish-Sekretarit të Jashtëm Jack Straw, si dhe ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm, Lord Goldsmith.
Ndërkohë një vit më parë, gjykata Westminster Magistrates kishte refuzuar kërkesën e Al Rabbat për të nisur një hetim privat.
Ky i fundit kërkoi një rishikim gjyqësor, në përpjekje për të mbërritur deri te Gjykata Supreme, më e larta në Britaninë e Madhe, për të kthyer vendimin e vitit 2006 të Dhomës së Lordëve, sipas të cilit nuk ekzistonte një krim i tillë si ai i agresionit bazuar në ligjet e Anglisë dhe Uellsit.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryeprokurori i Britanisë, i cili kishte ndërhyrë duke nxitur Gjykatën e Lartë të bllokonte këtë padi me justifikimin se ishte diçka e pashpresë.
Duke reaguar tashmë pas vendimit, një zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm tha se rasti në fjalë ka ngritur “çështje të rëndësishme mbi fushëveprimin e ligjeve penale”.
“Duhet t’i lihet në dorë Parlamentit, e jo gjykatave, krijimi i shkeljeve të reja penale. Ky parim është mbajtur parasysh kur Dhoma e Lordëve vendosi në vitin 2006 se ‘krimi i agresionit’ nuk ekzistonte në ligjet angleze. Në këtë sfidë ligjore, ne argumentuam se kjo bazë qëndronte edhe në kohet e sotme, ndaj dhe gjykata ra dakord me ne”, tha zëdhënësi i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.
Në vitin 2003, Britania e Madhe iu bashkua koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të rrëzuar Saddam Husseinin, pasi presidenti amerikan George W. Bush dhe Tony Blair e akuzuan Irakun për zotërim të armëve të shkatërrimit në masë.












