Kjo është ministria që i shpenzon fondet, por nuk i kryen punët

.
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, nuk po i menaxhon mirë punët brenda institucionit. As në fushën e projekteve, nuk po del të jetë hiç më e përgjegjshme. Fondet i shpenzon pa i kryer punët. Këto të gjetura janë bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Referuar gjetjeve të ZKA-së, shkelje të tilla janë evidentuar me ndërtimin e palestrës në Deçan.
Palestra në Deçan, ishte parashikuar të ndërtohej në dy faza. Mirëpo mos menaxhimi i mirë me punën e fondeve, ka lënë projektet pa finalizuar, shkruan Indeksonline.
‘’MKRS kishte probleme me caktimin e prioriteteve. Kishte kontraktuar disa projekte njëkohësisht pa i siguruar fondet për implementimin e plotë të tyre. E tillë ishte palestra në Deçan e cila ishte paraparë të ndërtohet në dy faza. Në fazën e parë ishin paraparë të përfundohen punimet e vrazhda ndërsa në të dytën është dashur të kompletohet palestra dhe të fillojë përdorimi i saj. Por për shkak të ndryshimeve të shpeshta në specifikim teknik, punëve shtesë, fondet e ndara për projekt ishin harxhuar pa u kryer plotësisht të gjitha punët’’, thuhet në një pjesë të raportit të auditorit.
Derisa tashmë duhen plot 670 mijë euro për të përfunduar në tërësi projektin, punimet e të cilit thuhet se kanë filluar në 2009-ten.
‘’ Tani nevojiten edhe 670 mijë euro për të përfunduar plotësisht projektin në të cilin punimet kishin filluar në 2009 dhe ende nuk kishin përfunduar’’, bëhet e ditur më tej.
Rast i njëjtë thuhet se ka pasur me palestrën në Drenas dhe Klinë.












