Albin Kurti kujton Enver Zymberin: Hashim Thaçi ndërpreu aksionin, edhe pse pati dhënë fjalë të mëdha

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar policin Enver Zymberi, që ishte vrarë në detyrë para gjashtë viteve nga persona të panjohur gjatë aksionit të policisë së Kosovës për të vendosur rend e ligj në veri të Mitrovicës. Kurti thotë se Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër, e ndërpreu aksionin për vendosje të […]
Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar policin Enver Zymberi, që ishte vrarë në detyrë para gjashtë viteve nga persona të panjohur gjatë aksionit të policisë së Kosovës për të vendosur rend e ligj në veri të Mitrovicës.
Kurti thotë se Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër, e ndërpreu aksionin për vendosje të rendit dhe të ligjit.
Shkrimi i plotë i Kurtit:
Gjashtë vite më parë, në 25 korrik 2011, u vra në krye të detyrës polici i Kosovës, Enver Zymberi.
Enver Zymberi ishte pjesëtar i forcave speciale. Ai u vra në një aksion që synonte vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit tonë.
Rrethanat e vrasjes së Enver Zymberit, si dhe autori apo autorët e vrasjes së tij, edhe sot ende nuk dihen.
Kryeministri i atëhershëm, Thaçi, e ndërpreu aksionin për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit tonë edhe pse pati thënë fjalë të mëdha. Po ashtu, ai e braktisi dhe çështjen Zymberi, duke u dorëzuar përballë kriminelëve e duke mos i gjetur fajtorët.
Enver Zymberi nuk është viktimë. Ai është dëshmor i Republikës sonë. Organizata kriminale që e vrau atë është përgjegjëse për pengmarrjen e veriut të vendit. Ne sot e përkujtojmë me respekt Enver Zymberin, të vendosur që ta çojmë përpara gjyqit vrasësin e tij, të vendosur që të mos lejojmë një qeverisje të Kosovës që bën aleancë me strukturat politike përgjegjëse për atë vrasje.













