A ishte përbashkuese letra e Albin Kurtit nga burgu?

Albin Kurti ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, derisa Lëvizja Vetëvendosje, që e themeloi dhe e udhëhoqi si kryetar për disa vite, po kalon sfidat më të mëdha të saj. Por kësaj radhe, sfidat e saj burojnë nga brenda. Publikimi i një mesazhi ofendues të Aida Dërgutit ndaj Albin Kurtit, ishte më shumë publikim […]
Publikimi i një mesazhi ofendues të Aida Dërgutit ndaj Albin Kurtit, ishte më shumë publikim i mosmarrëveshjeve të mëdha që ekzistojnë në Vetëvendosje tash e një vit, se sa publikim i ndonjë inati a mërie personale mes Kurtit e Dërgutit.
Sot në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje u lexua letra që Kurti i ka drejtuar delegatëve të këshillit, por aty për ta dëgjuar se çfarë kishte për të thënë Kurti, nuk ishin kryetari i VV-së, Visar Ymeri, ish-sekretari organizativ, Dardan Molliqaj, si dhe protagonistja e ngjarjeve të fundit, Aida Dërguti.
Ymeri mospjesëmarrjen në mbledhje e arsyetoi me situatën e ndjeshme në të cilën po kalon partia që ai e udhëheq.
“Me keqardhje ju njoftoj se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo mbledhje, edhe pse proceduralisht dhe në aspektin e statutit, nuk ka asnjë shkelje, po ndodh në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm për organizatën tonë”, shkroi Ymeri.
Përkundër faktit se Ymeri e quan të jashtëzakonshëm momentin kur po mbahet mbledhja, nënkryetarja e VV-së, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, në fjalën e saj në mbledhjen e KP-së, tha se mbledhja ishte fare e zakonshme. Madje, tha se mbledhja është mbajtur me një muaj vonesë, meqenëse Statuti i partisë përcakton mbledhje të çdo-tremuajshme të Këshillit të Përgjithshëm.
Reagime ndaj kësaj mbledhjeje, veç mospjesëmarrjes, nuk pati nga Molliqaj e Dërguti.
Kurti, në letër shkroi më shumë për sfidat e Vetëvendosjes në raport me partitë tjera dhe pushtetin, duke përmendur dënimet e arrestimet e padrejta ndaj aktivistëve e deputetëve të VV-së, por nuk harroi as gjithë atë që po ndodh brenda partisë së tij.
Edhe pse letra e Kurtit u komentua si përbashkuese nga udhëheqësi i mbledhjes së KP-së, Hydajet Hyseni, Kurti nuk la pa kritika as Aida Dërgutin, përkundër faljes që i bën, e as të tjerë aktivistë e deputetë që nuk pajtohen me të. Në fakt, Kurti, mes rreshtash, lë të kuptohet se VV mund të mbijetojë edhe pa “kryengritësit”. Ndërsa, nuk bëri thirrje askund për ndalje të linçimeve e ofendimeve të mëtutjeshme nga aktivistët ndaj krahut Molliqaj-Dërguti-Ymeri, edhe pse kjo gjë ishte kërkuar në mbledhjen e Kryesisë së VV-së ditë më parë.
Kurti, siç u shpreh në letër, nuk ndjehet fare i ofenduar nga ajo që Dërguti ka thënë për të, në komunikimin e saj në “Viber”, por thotë se e shqetëson gëzimi i saj për arrestimin e deputetëve të VV-së.
Kurti theksoi se linja e posaçme e komunikimit të Dërgutit prapa shpinës së organeve të VV-së, është shqetësuese.
“Nuk është problemi te gjuha që ka përdorur Aida. Nuk më ofendojnë fjalët që ajo ka thënë. E fal edhe sikurse të mos më kishte kërkuar falje. Personalisht ajo nuk më ka kurrfarë borxhi mua. Unë jam çuditur shumë e zhgënjyer thellë për qasjen destruktive, për dëshirën për arrestimin që na u bë, për linjën e posaçme të komunikimit prapa shpinës së organeve të VETËVENDOSJE!-s. Thelbi nuk është fjalori i saj, por kjo ndjenjë armiqësore ndaj meje, ky komunikim tinëz e kush e di për çfarë qëllimesh, e që janë fort shqetësuese. Aida nuk hyn as në 5, as në 10, as në 50 aktivistët e VETËVENDOSJE!-s me të cilët unë kam pasur mospajtimet më të theksuara. Si erdhi ajo në këtë pikë? Nuk kam shpjegim tjetër, përveçse mashtrimin. Që do të thotë se nuk është ajo fajtore”, thuhet në letrën e Kurtit.
Kurti nuk la pa kritikuar as Dardan Molliqajn, edhe pse nuk i përmendet emri askund në letrën e tij.
Molliqaj u akuzua nga Liburn Aliu për privilegjim të disa aktivistëve me pozita e paga të larta, edhe pse Molliqaj e shpjegoi vetë në një emision se në VV nuk janë mbi 80 veta që marrin paga, dhe sipas tij, mesatarja e pagës sillet rreth 400 euro.
Në letrën e tij Kurti tha se kur “disa njerëz i humbin privilegjet mendojnë se kjo është padrejtësi”, duke e pasur fjalën për Molliqajn e përkrahësit e tij. Kurti, sigurisht se aludon në dorëheqjen nën presion të Molliqajt kur përmend humbjen e privilegjeve.
Ndërsa, sa për ta bërë të qartë, në rast ndarjeje të VV-së, Kurti theksoi se të gjithë aktivistët e VV-së janë të nevojshëm, por asnjëri prej tyre nuk është i pazëvendësueshëm.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka nevojë për shumë më tepër transparencë, për shumë më tepër llogaridhënie. Disa njerëz kur i humbin privilegjet mendojnë se kjo është padrejtësi. Ata duhet të fillojnë të mendojnë se ndoshta privilegjet paskan qenë padrejtësi. Secili aktivist i VETËVENDOSJE!-s është i nevojshëm por asnjëri s’është i pazëvendësueshëm. Demokraci kudo dhe tërë kohën. Demokraci pa hakmarrje. Kështu mund dhe do të ecim përpara”, shkruhet në letrën e tij.
Pas kësaj mbledhjeje nuk dihen rrjedhat e ardhshme në VV, mirëpo edhe Molliqaj, edhe Ymeri – dhe në fund edhe Kurti – llogarisin në një ndarje të mundshme të VV-së, megjithëse që të tre përpiqen që ta mbajnë të bashkuar partinë.
Dërguti tashmë ka pranuar se në VV ekzistojnë dallime ideologjike, Ymeri ka thënë se ekzistojnë dallime mbi metodat, e Molliqaj ka thënë se mes tij e Kurtit ekzistojnë dallime mbi metodat dhe politikave të VV-së, pas rritjes së dyfishtë. Molliqaj, po ashtu, në Klan Kosova ka thënë se nëse ndodh ndarja, ajo do të jetë e thellë dhe mund ta dëmtojë VV-në. /Periskopi/












