Tomë Gashi e quan ‘masakër’ juridike vendimin për aktivistët e VV’së, tregon hapat që do ndërmerren më tutje

Tomë Gashi, avokati i katër aktivistëve të Vetëvendosjes të cilët sot u shpallën fajtorë nga Gjykata, e ka quajtur këtë vendim si ‘masakër’ juridike, përkundër provave shfajësuese që ishin paraqitur deri më tani. ‘’Ju e patë që përkundër gjitha provave që e dëshmojnë pafajësinë, kjo gjykatë për arsye politike i dënoi. Arsyeja e parë që […]
‘’Ju e patë që përkundër gjitha provave që e dëshmojnë pafajësinë, kjo gjykatë për arsye politike i dënoi. Arsyeja e parë që ta mbulojnë vrasjen e Deharit dhe arsyeja politike, duke ditur faktin që ne i kemi më pak se 24 orë para zgjedhjeve komunale’’ tha ai, transmeton Periskopi.
‘’Besoj që keni vërejtur se kanë qena prova shfajësuese është e çuditshme, në kundërshtim me dispozita ligjore, vendore e ndërkombëtare. Unë besoj se prej filimit është parë se kemi të bëjmë me rast krejt politik, duke marrë parasysh edhe datën kur ata janë arrestuar. Dy ditë para cështjes së demarkacionit’’, theksoi ai.
Gashi vendimin e quajti masakër juridike, duke thënë se ju mbetet që ta vazhdojnë luftën për zbardhjen e pafajësisë.
Ai tutje ka treguar edhe për hapat konkret që do t’i ndërmarrin tutje.
‘’Ne do të bëjmë ankesë dhe do ta paraqesim në afatin ligjor dhe shpresojmë që instancat tjetra ligjore nuk do të jenë të ndikuara politikisht’’, shtoi ai./Periskopi/
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi ka shkruar në Facebook se Gjykata i dënoi me mbi 20 vite burg për rastin e montuar për terrorizëm, duke renditur të gjitha faktet që sipas tij, ata ishin të pa, fajshëm.
Ai shkruan në Facebook:
GJYKATA NA DËNOI ME MBI 20 VITE BURG PËR RASTIN E MONTUAR PËR TERRORIZËM
Nuk mjaftoi fakti që ADN-të tona nuk u përputhën me gjurmët nga vendi i ngjarjes.
Nuk mjaftoi fakti që në pajisjet tona elektronike nuk u gjet as një gjë e vetme inkriminuese.
Nuk mjaftoi ekspertiza e FBI që tha se asnjëri prej nesh nuk mund të lidhet me sulmin në Kuvend.
Nuk mjaftuan deklaratat e dëshmitarëve që thanë se asnjërin prej nesh nuk mund ta identifikojnë si pjesëmarrës apo të përfshirë në këtë rast.
Nuk mjaftuan deklaratat e dëshmitarëve që treguan se Policia u ka shtuar deklarata pa dijeninë e tyre.
Nuk mjaftoi përgjigjja e GOOGLE që ishte tërërisht shfajësuese për ne.
Nuk mjaftuan alibitë tona të pakontestueshme mbi vendndodhjet tona në kohën kur ishte kryer sulmi në Kuvend.
Nuk mjaftoi terrorizimi që na e bënë për një vit e gjysëm. Nuk mjaftoi vdekja e Astritit që po mbahej padrejtësisht në burg.
Pikërisht kështu po duan të na e fusin frikën në palcë, sepse e dinë se ku po e qojnë Kosovën. Po duan t’ju thonë qytetarëve se “shiheni çka ju bëjmë njerëzve të pafajshëm, e lëre më juve nëse guxoni të ngritni zë kundër nesh”. Dhe jo rastësisht, gjykatësi Beqir Kalludra me ngulm insistonte që ky proces të kryhet para balotazhit. Dy ditë para zgjedhjeve.
Por kështu kishte provua edhe Serbia që ta frikësonte popullin tonë. Por rezultatet i dijmë. Çdo proces gjyqësor kundër “irridentistëve” shqiptarë, zgjonte më shumë vetëdijen gjithëpopullore dhe organizonte më shumë popullin tonë.
E për këto gjykime të padrejta, herët a vonë, kriminelët që i porositën e montuan do të mbajnë përgjegjësi. Para ligjit e para historisë.












