Ky është reagimi i Qeverisë pas kritikave të ashpra të ambasadës amerikane

Qeveria e Kosovës e konsideron të drejtë reagimin e Ambasadës Amerikane dhe pohimet e saj lidhur me raportimin e komisionit të ri për Demarkacion para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Megjithatë, në Qeverinë e Kosovës presin që çështjen e kufirit me Malin e Zi do ta përmbyllin pas prezantimit të raportit të gjerë nga komisioni i […]
Megjithatë, në Qeverinë e Kosovës presin që çështjen e kufirit me Malin e Zi do ta përmbyllin pas prezantimit të raportit të gjerë nga komisioni i ri qeveritar, në krye te të cilit është ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shpejtim Bulliqi.
Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” zëdhënësi i qeverisë, Halil Matoshi.
“I kuptojmë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë për këtë çështje dhe njëkohësisht konsiderojmë se adresimi i çështjes së demarkacionit prej nisjes së punës së Qeverisë Haradinaj është bërë me qëllim të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Komisioni për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror pritet së shpejti të prezantojë një raport me gjetjet e tij dhe i njëjti pasi të vlerësohet e analizohet do të procedohet më tutje për ta përmbyllur procesin”, ka thënë Matoshi
Ndryshe përmes reagimit të djeshëm, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë iu bën thirrje institucioneve të Kosovës që të punojnë për të promovuar interesat e qytetarëve në këtë çështje, duke thënë se politikanët e Kosovës duhet të shikojnë përtej interesave personale partiake dhe politikës partiake, dhe të përqendrohen në nevojat e qytetarëve duke e ratifikuar marrëveshjen ekzistuese sa më shpejt që është e mundur.












