Foto të rënda: Përmbytjet në Greqi, përkeqësohet bilanci i viktimave

Të paktën 15 persona humbën jetën dhe 17 të tjerë janë lënduar si pasojë e motit të keq që përfshiu Greqinë. Pjesa më e madhe e viktimave janë persona të moshës së tretë, të cilët fatkeqësisht nuk mundën të largoheshin nga banesat e tyre, duke humbur jetën. Niveli i lartë i ujërave të përmbytjeve detyroi […]
Të paktën 15 persona humbën jetën dhe 17 të tjerë janë lënduar si pasojë e motit të keq që përfshiu Greqinë.
Pjesa më e madhe e viktimave janë persona të moshës së tretë, të cilët fatkeqësisht nuk mundën të largoheshin nga banesat e tyre, duke humbur jetën. Niveli i lartë i ujërave të përmbytjeve detyroi banorët të braktisnin katet e para. Shumë prej tyre u ngjitën në tarracat e ndërtesave, për të kërkuar ndihmë.
Qytezat më të dëmtuara janë ato të Nea Peramos dhe Megara-s, në perëndim të kryeqytetit Athinë. Reshjet e dendura i shndërruan autostradat brenda pak minutash në lumenj të furishëm, që morën përpara vetura furgonë, e madje edhe kamionë të tonazhit të rëndë.









Është një katastrofë natyrore, gjithçka është zhdukur, tha kryebashkiaku i qytezës së Mandra-s për mediat greke. Në disa lagje të rajonit historik të Atikës, ujërat e vrullshëm që sollën me vete llum e baltë arritën një nivel prej më shumë se 1.5 metrash.
Kryeministri Alexis Tsipras u ka shprehur ngushëllimet e tij të gjithë familiarve të viktimave.
Mediat greke transmetojnë pamje të një katastrofe të madhe në zonat Nea Perama dhe Megara pranë kryeqytetit grek.
Nga reshjet e mëdha të shiut, shumë shtëpi janë përmbytur, ndërsa dhjetëra makina janë bllokuar në rrugët përreth. Shërbimi zjarrfikës u është përgjigjur më shumë se 360 thirrjeve për ndihmë nga shtëpi dhe dyqane të përmbytura.
Probleme ne qarkullimin e automjeteve ka pasur në rrugën nacionale Athinë-Korinth. Organet vendore kanë urdhëruar të mos hapen shkollat në gjithë zonën perëndimore të prefekturës së Athinës.












