Shtyhet seanca ndaj Qemajl Mustafës së PDK-së, akuzohet për keqpërdorime si kryetar i Gjilanit

Është shtyrë shqyrtimi fillestar, i paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj ish-kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa , i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Kjo seancë është shtyrë me kërkesën e të akuzuarit Mustafa, i cili ka thënë se ende nuk e ka marr aktakuzën nga prokuroria […]
Është shtyrë shqyrtimi fillestar, i paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj ish-kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa , i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Kjo seancë është shtyrë me kërkesën e të akuzuarit Mustafa, i cili ka thënë se ende nuk e ka marr aktakuzën nga prokuroria dhe se duhet të angazhojë avokat mbrojtës.
Kërkesën e të akuzuarit për shtyrjen e seancës nuk e ka kundërshtuar prokurori i shtetit, Shaban Spahiu.
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi, ka marr aktvendim që seanca të shtyhet për 6 nëntor 2017, nga ora 13:00.
Ish-kreu i Gjilanit, Qemajl Mustafa, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, akuzohet se duke qenë në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjilanit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, apo shkaktimin e dëmit personit tjetër, ka tejkaluar kompetencat e tij.
Sipas aktakuzës, Mustafa pretendohet se veprën penale e ka kryer në atë mënyrë që më 23 maj 2012, si kryetar i komunës, në emër të autoritetit kontraktues publik të ish-Kompanisë Rajonale për Mbeturina (KRM) “Higjiena”, në Gjilan, ka nënshkruar marrëveshjen e partneritetit publiko-privat, për themelimin e ndërmarrjes së përbashkët aksionare “Eco Higjiena”, me autoritetin kontraktues privat Christian Moser – “Moser Group”, përkatësisht i degës së saj “ECO Vision”, në Gjilan.
Këtë veprim, ish-kryetari i Gjilanit e kishte bërë mbi bashkimin e mjeteve dhe kapitalit në proporcion 51 % për partneritetin privat dhe 49 % për atë publik, të cilin veprim e kishte bazuar në Ligjin nr.03/L-090 mbi Partneritetin Publiko – Privat.
Mirëpo, sipas aktit aktakuzës, Mustafa, këtë e kishte bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, sepse ligji i lartcekur ishte shfuqizuar më 21 tetor të vitit 2011, me nxjerrjen e Ligjit nr.04/L-045, mbi Partneritetin Publiko Privat.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri si autoritet kontraktues nuk kishte vepruar konform dispozitave ligjore dhe konditave të marrëveshjes mbi partneritetin publiko – privat, përkatësisht për të kërkuar nga autoriteti kontraktues i partneritetit privat përmbushjen e obligimeve që ka pasur me marrëveshjen për realizimin e investimeve të zotuara.
Tutje, në aktakuzë thuhet se nuk është përmbushur marrëveshja e investimeve të zotuara për shumën në lartësi prej 1,500,000,00 euro për periudhën gjatë viteve 2012, 2013 dhe 2014, por ka realizuar vetëm investimet në shumë prej 542,243,45 euro, ndërsa nuk ka përmbushur shumën e investimeve prej 957,756,55 euro, gjendje kjo që ka ndikuar negativisht në profitabilitetin e subjektit përkatës.
Me këtë rast, i pandehuri Mustafa duke mos ndërmarrë masat e parapara me ligj si dhe duke mos shfrytëzuar as të drejtën sipas nenit 16 të kësaj marrëveshje për ndërprerjen e partneritetit për shkak të shkeljeve të detyrimeve nga partneriteti tjetër privat si dhe duke neglizhuar të paraqes raportet vjetore rreth këtij partneriteti publiko-priva, i ka shkaktuar dëm material partneritetit publik, përkatësisht KRM “Higjiena”.
Ndryshe, ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa akuzohet edhe në një rast tjetër, ku së bashku me 38 persona të tjerë, ngarkohen me veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.












