Shpend Ahmeti tregon se me kë do të bashkëpunojë në Prishtinë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës dhe kryetari aktual i kësaj komune, Shpend Ahmeti në një intervistë për Periskopin tregon se me cilat parti do të bashkëpunojë për garën e balotazhit, ku do të përballet me kandidatin e LDK’së, Arban Abrashi. Ahmeti ka thënë se gjatë qeverisjes së kaluar kanë qenë në koalicion […]
Ahmeti ka thënë se gjatë qeverisjes së kaluar kanë qenë në koalicion me Aleancën Kosova e Re dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, andaj nuk do ta kishte problem të bashkëpunonte sërish me to.
Ai përmendi edhe dy parti të tjera të vogla, me të cilat tha se mund të bashkëpunojë.
“Me AKR’në kemi qenë në koalicion dhe nuk është problem të bashkëpunojmë. Drejtorët e AKR’së sot punojnë për qeverisjen time. Ka rritje të VV’së, AKR’së e AAK’së si pasojë e këtij bashkëpunimi. Ne jemi të hapur për bashkëpunim me AKR’në, AAK’në, Nismën dhe Lëvizjen për Bashkim”, tha Ahmeti.
Ai foli edhe kushtin e kandidatit të AKR’së për Prishtinën, Selim Pacolli, i cili në një intervistë për Periskopin kishte thënë se kushti i tij i vetëm për bashkëpunim me ndonjërën prej partive është garancia për zbatimin e programit të tij.
“Selimi ka bërë fushatë që është e pranueshme në natyrë, meqë nuk ka sulmuar, por ka bërë prezantimin e programit. Edhe ne kemi pastruar mjedisin, edhe ne kemi ndërtuar parqe të reja. Do të donim të vazhdonim bashkëpunimin me AKR’në. Pas zgjedhjeve, marrëveshja e koalicionit është e pashmangshme sepse duam të kemi sa më shumë asambleistë. Tashmë e kemi mundësinë të bëhemi shumicë me partitë me të cilat kemi qeverisur. Bazuar në rezultatet e raundit të parë, mendojmë se do të dalim fitues në zgjedhjet e 19 nëntorit”, tha tutje Ahmeti gjatë intervistës për Periskopin.
Ai tha se nuk do të zbatojë modelin e qeverisjes së ‘ndarjes së kulaçit’.
“Qeverisja do të jetë integrale. Kur je në koalicion me dikë, diskuton me ta. Jo qeverisje të ndarjes të kulaçit. Patjetër që jemi të hapur me diskutu çdo problem për Prishtinën, ne flasim për parqe, për stadium e të gjitha. Problemi i vetëm është zbatueshmëria për shkak të kostos që ka. Do të diskutojmë për çdo program, jemi bashkëpunues e të kemi synim Prishtinën dhe çdo gjë që e përmirëson jetën e qytetarëve”, deklaroi tutje Ahmeti./Periskopi












